Tifozët italianë shpresonin që Ferrari të paraqitej mirë në “Interlagos”, por ishte Kimi Antonelli ai që i gëzoi me vendin e dytë të arritur në garën e Brazilit. Piloti i ri i Mercedes arriti rezultatin më të mirë në karrierën e tij, në fund të një gare ku iu desh të duelonte me Maks Verstapenin.
Në xhirot e fundit ishte e qartë se 4 herë kampioni i botës në Formula 1 do të luftonte për një pozicion me Antonelli. Maks në mënyrë efektive e mbylli hendekun prej 9 sekondash që e ndante atë nga piloti i Mercedes, por ai hyri në DRS shumë vonë dhe nuk mundi ta kalonte, duke u kënaqur me vendin e tretë.
“Të kishe Maksin nga pas ishte shumë stresuese. Kur ai bëri ndalesën e tij të fundit dhe Bono (inxhinieri i garës) më tha hendekun, mendova se mund të isha mashtruar. Ai ishte vetëm nëntë sekonda prapa, kishte goma të buta të reja dhe kishte një ritëm shumë të fortë”, kujton Kimi Antonelli.
“Maksi bëri një punë të shkëlqyer dhe më vuri nën presion në fund. Më duhej të shtyja deri në limit dhe nuk ishte e lehtë. Bëra çmos, duke u përpjekur të mësoja sa më shumë që të ishte e mundur në çdo xhiro për t’u përmirësuar në tjetrën. Ishte një nga fundjavat më të veçanta deri më tani”, shtoi italiani.
The post Antoneli: Presion i madh kur ke Maksin gati të të parakalojë appeared first on Alsat.

