BBC-ja i ka kërkuar falje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për episodin e programit Panorama në të cilin pjesë të fjalimit të tij ishin bashkuar në një, por refuzoi kërkesën për kompensim. 

Korporata ka thënë se ajo ndërhyrje ka dhënë “përshtypjen e gabuar se presidenti Trump ka bërë thirrje direkte për veprime të dhunshme” dhe ka thënë se nuk do ta shfaqë më atë program, transmeton “BBC”. 

Avokatët e Trumpit kanë kërcënuar se do ta padisin BBC-në duke kërkuar kompensim 1 miliard dollarë nëse korporata nuk bën tërheqjen, nuk kërkon falje dhe nuk e kompenson presidentin amerikan. 

Kjo ngjarje ka çuar te dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie dhe drejtoreshës së informacionit Deborah Turness. 

Kërkimfalja erdhi pasi një video e dytë e ngjashme e edituar, e transmetuar në Newsnight më 2022, u publikua nga “Daily Telegraph”.

Të enjten mbrëma, BBC-ja ka thënë se programi Panorama është rishikuar pas kritikave se si është edituar fjalimi i Trumpit. 

“Ne e pranojmë se editimi ynë pa qëllimshëm ka krijuar përshtypjen se po transmetojmë një fjalim të vetëm, e jo pjesë të ndryshme të fjalimit, dhe ka dhënë përshtypjen e gabuar se presidenti Trump ka bërë thirrje direkte për veprime të dhunshme”, thuhet në sqarimin. 

Avokatët e BBC-së i kanë shkruar ekipit ligjor të Trumpit në përgjigje ndaj letrës që u pranua të dielën.

“Kreu i BBC-së, Samir Shah, personalisht ka dërguar letër te Shtëpia e Bardhë duke ia bërë të qartë presidentit Trump se ai dhe korporata shprehin keqardhje për editimin e fjalimit të presidentit të 6 janarit të vitit 2021, që është shfaqur në program”, ka thënë një zëdhënës i BBC-së. 

BBC-ja ka thënë se nuk e ka në plan ta ritransmetojë dokumentarin në ndonjë platformë. 

“Derisa BBC-ja shpreh keqardhje për mënyrën se si videoklipi është edituar, ne fuqimisht shprehim mospajtimin se ka bazë për pretendim për shpifje”, thuhet në përgjigje.

Në fjalimin e tij më 6 janar të vitit 2021, Trump tha: “Ne do të ecim drejt Capitolit, dhe do të bëjmë tifo për senatorët e guximshëm dhe kongresistët”. 

Më tepër se 50 minuta më vonë në fjalim, ai tha: “Dhe ne do të luftojmë. Do të luftojmë deri në fund”. 

E në programin Panorama të vitit 2024, klipi shfaq Trumpin duke thënë: “Ne do të ecim drejt Capitolit…dhe do të jem aty me ju. Dhe do të luftojmë. Do të luftojmë deri në fund”. 

Duke folur për “Fox News”, Trump tha se fjalimi i tij i 6 janarit të vitit 2021, është “masakruar” dhe mënyra se si është shfaqur ka “mashtruar” shikuesit. 

BBC-ja ka pranuar një letër nga ekipi ligjor i Trumpit të dielën. Është kërkuar “tërheqje e plotë dhe korrekte” e dokumentarit, një kërkimfalje, dhe po ashtu BBC-ja “në mënyrë të përshtatshme ta kompensojë presidentin Trump për dëmin e shkaktuar”. 

Ka caktuar një afat përfundimtar deri  të premten që korporata të përgjigjet. 

Në letrën dërguar ekipit ligjor të Trumpit, BBC-ja ka treguar argumentet e veta. 

Ka thënë se BBC-ja nuk ka të drejtat për ta shpërndarë episodin Panorama në kanalet në SHBA. Dhe ka treguar se kur dokumentari ishte në dispozicion në BBC iPlayer, u kufizua gjeografikisht vetëm te shikuesit në Britani. 

E dyta tha se dokumentari nuk i shkaktoi dëm Trumpit, pasi ai u zgjodh president.  E treta, klipi nuk ishte edituar për të keqinformuar, por vetëm u shkurtua një fjalim i gjatë dhe se editim u bë pa një qëllim të keq. 

Ka thënë se klipi ishte vetëm 12 sekonda në programin njëorësh, ku pati shumë zëra në përkrahje të Trumpit. 

Dhe e pesta tha se një opinion mbi një çështje me interes publik dhe fjalim politik mbrohet fuqishëm sipas ligjeve në SHBA.