
Shkup, 14 nëntor – Ish-nënkryetari dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Krenar Lloga, ka njoftuar tërheqjen e tij nga jeta partiake dhe nga të gjitha funksionet që ka mbajtur brenda subjektit. Lloga vendimin e ka bërë publik përmes një letre drejtuar bashkëpartiakëve dhe qytetarëve, duke e cilësuar atë si një hap të vështirë, por të menduar gjatë.
“Pas një periudhe të gjatë analize dhe reflektimi, kam vendosur të tërhiqem nga jeta partiake. Kam dhënë zemrën, mundin dhe shpirtin tim në këtë rrugëtim,” shkruan Lloga, duke theksuar se për 10 vite ka bashkëpunuar me nj erëz të përkushtuar, por edhe me të tillë që “nuk e përballuan rrugëtimin e gjatë e plot sfida”.
Ai thotë se gjatë kësaj periudhe ka qëndruar i drejtë ndaj bindjeve të tij, edhe kur ato nuk ishin të pëlqyera. “E vërteta kërkon guxim. Nëse dikush është ndier i lënduar nga fjala apo veprimi im, u kërkoj ndjesë,” shprehet Lloga.
Në letrën e tij, ai kujton edhe rrënjët familjare dhe sfidat me të cilat është rritur, në një ambient të ngarkuar politikisht gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Lloga thotë se këto rrethana e kanë formësuar dhe do ta shoqërojnë pavarësisht rolit që do të ketë në të ardhmen.
Ai falënderon në veçanti aktivistët e Aleancës për Shqiptarët, votuesit e Frontit Europian dhe Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim, për mbështetjen e vazhdueshme.
Lloga shprehet se Maqedonia e Veriut duhet të ndërtohet si shtet i lirë dhe i barabartë për të gjithë: “Na mbetet detyrë e përbashkët, si shqiptarë, maqedonas, turq, vllehë e të tjerë, të ndërtojmë një shtëpi të përbashkët me respekt dhe dinjitet.”
Në fund, ai njofton se megjithëse braktis funksionet partiake, nuk largohet nga jeta publike:
“Do të vazhdoj të jem mes jush, por në një vallëzim më të lirë – një solist me shpirt të lirë dhe dashuri për njerëzit.”

