Gazetar: Suad Bajrami
Pas shkeljes së afatit gjashtëmujor nga ana e Kuvendit për ndryshimet skandaloze të Kodit Penal në vitin 2023 me të cilin u liruan nga ndjekja penale shumë funksionarë, Gjykata Kushtetuese i jep afat edhe një muaj e gjysmë kohë. Kryetari i Kushtetueses, Darko Kostadinovski në një intervistë në televizionin Telma, thekson që shtëpia nuk mund ta presin shtëpinë ligjvënëse deri në pafundësi që të vendos për çështjen.
“Nëse Kuvendi, deri në seancën e fundit të gjykatës në dhjetor nuk i bën ndryshimet e domosdoshme, unë do ta vendos në rend dite të gjykatës atë lëndë dhe ne do të vendosim”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë deputetët në Kuvend, pavarësisht se kanë mundësi të ngrenë iniciativë për ndryshimet ligjore, presin nga qeveri që të dorëzojë propozimin e premtuar për Kod të ri Penal, i cili ka ngecur në Ministrinë e Drejtësisë.
Një ndër temat më të nxehta që Gjykata Kushtetuese do të duhet të vendos periudhën e ardhshme është lënda për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Me largimin e gjykatëses raportuese Elizabeta Dukovska, Kostadinovski tha që lëndën e ka marrë një tjetër gjykatës të cilit këtë muaj i kalon afati gjashtëmujor për të përgatitur raport. Plotësisht, do të diskutohet nëse do të mbahet ose jo seanca përgatitore e cila dy herë u paralajmërua, por u shty, një herë për shkak tragjedisë së Koçanit e herën tjetër për shkak të largimit të gjykatëses.
“Që do të thotë se ajo lëndë do të dërgohet ose në seancë përgatitore ose direkt në seancë për vendim, ajo do të varet prej… Deri kur? Më së voni deri në muajin shkurt”, u shpreh Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, sipas konkluzionit të miratuar nga Gjykata Kushtetuese, për të vendosur për këtë lëndë, Gjykata Kushtetuese duhet të ketë përbërjen e plotë prej 9 anëtarëve, ndërsa aktualisht janë 8. Kostadinovski tha që ka kontaktuar me Këshillin Gjyqësor, të cilët i kanë paralajmëruar se gjatë dhjetorit do të dorëzojnë propozim në Kuvend për zgjedhjen e gjykatësit të ri kushtetues. /Alsat.mk
The post Ndryshimet në Kodin penal, Kushtetuesja “ultimatum” Kuvendit appeared first on Alsat.

