Donald Trump, i cili fitoi në zgjedhjet amerikane kundër zv.presidentes Kamala Harris, duke fituar mandatin e dytë jo të njëpasnjëshëm si president, po bën titujt jo vetëm për qëndrimin e tij ndaj luftës Rusi-Ukrainë, por edhe për shkak të betejave të tij ligjore të vazhdueshme dhe veprimet e kaluara.
78-vjeçari Trump doli fitimtar në “shtetet luhatëse” që u cilësuan si shtete kyçe, duke përfshirë Karolinën e Veriut, Pennsylvania-n dhe Georgia-n, duke mundur kundërshtaren demokrate Kamala Harris dhe duke u bërë presidenti i 47-të i SHBA-së.
I njohur për ngritjen e tij nga një manjat i pasurive të paluajtshme në një figurë politike, udhëtimi i Trump-it drejt presidencës në vitin 2016 u shënua nga vendime të diskutueshme dhe raste të paprecedentë ligjore.
Gjatë mandatit të parë të Trump-it u sollën vendime të mëdha vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë zhvendosjen e Ambasadës së SHBA në Kuds, tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare si Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe zbatimin e tarifave të larta për importet kineze.
Administrata e tij u përfshi gjithashtu në pasojat pas trazirave në e Kongresin Amerikan më 6 janar 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin e SHBA-së, duke thelluar ndarjet politike në vend.
Pavarësisht humbjes së zgjedhjeve të 2020 nga Joe Biden, Trump vazhdoi të pretendonte për mashtrime të gjera zgjedhore, një pretendim që nxiti sfida të shumta ligjore. Trump tani është kthyer, duke tejkaluar pengesat ligjore, duke përfshirë një tentativë skualifikimi të lidhur me rolin e tij në trazirat e Kapitolit.
– Nga manjat i pasurive të paluajtshme, president
I lindur më 14 qershor 1946, në Queens, New York, Trump ishte fëmija i katërt i manjatit të pasurive të paluajtshme Fred Trump.
Pasi ndoqi Akademinë Ushtarake të New York-ut, ai fitoi një diplomë biznesi nga Universiteti i Pennsylvania-s.
Duke marrë përsipër biznesin familjar nga babai i tij në 1971, Trump e rriti kompaninë në mënyrë të konsiderueshme, duke u bërë i spikatur në biznes, argëtim dhe media, madje duke pritur shfaqjen e tij televizive “The Apprentice”, ku fitoi njohje në mbarë botën.
Në vitin 2000, ai hyri për pak kohë në politikë si kandidat për Partinë Reformuese, por u tërhoq shpejt. Në vitin 2016 ai bëri një kandidim serioz për presidencën, duke fituar nominimin e republikanëve dhe duke mundur kandidaten demokrate Hillary Clinton, pavarësisht gjasave të vogla për fitore.
– Mandati i parë i diskutueshëm
Mandati i parë i presidentit Trump u shënua nga një sërë vendimesh të diskutueshme dhe lëvizjesh të politikës së jashtme.
Ai kishte mosmarrëveshje me agjenci si FBI dhe CIA, si dhe disa gjeneralë të Pentagonit. Trump refuzoi disa aspekte të këshillave të Shërbimit Sekret dhe njoftoi vendimet përmes mediave sociale, pa u konsultuar me këshilltarët e tij.
Në skenën ndërkombëtare, politikat e presidentit Trump ishin po aq përçarëse, duke përfshirë luftën e tij tregtare me Kinën, mbështetjen për Izraelin dhe thirrjet për kontrolle më të rrepta të imigracionit.
Vendimi për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe Marrëveshja e Parisit për Klimën ishin disa nga lëvizjet më të diskutueshme të administratës së tij.
Teksa përpiqej të frenonte dominimin e Kinës në treg përmes taksave të larta të importit, Trump nxiti polemika me takimet e tij miqësore me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe përpjekjen e tij për të forcuar kufirin SHBA-Meksikë me barriera metalike.
– Planet për mandatin e dytë
Në fushatën e tij, Trump përsëriti premtimin për t’i dhënë fund luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Ai ka deklaruar se, nëse rizgjedhet, do t’i jepte fund luftës “ditën pas” rizgjedhjes së tij.
Trump gjithashtu vazhdoi të kritikojë mbështetjen financiare të qeverisë amerikane për Ukrainën, duke e quajtur presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy “shitësin më të madh në histori”, për faktin se ai siguroi miliarda dollarë ndihmë amerikane.
“Sa herë që ai (Zelenskyy) vjen në vend, ai largohet me 60 miliardë dollarë”, kishte thënë ai.
Përveç politikës së jashtme, agjenda e brendshme e Trump-it përfshin trajtimin e të drejtave të abortit dhe emigracionit të paligjshëm.
Duke mbrojtur më parë një ndalim mbarëkombëtar pas 15 javësh, ai më vonë shprehu kundërshtimin ndaj miratimit të një ndalimi kombëtar të abortit, duke thënë se ai beson se aborti duhet t’u lihet në kompetencë shteteve përkatëse.
Lidhur me imigracionin, Trump ka kritikuar vazhdimisht trajtimin e sigurisë kufitare nga Presidenti Biden dhe ka premtuar se do të godasë imigracionin e paligjshëm, duke e inkuadruar atë si një kërcënim të sigurisë kombëtare.
Sa u përket politikave ekonomike, Trump ka kritikuar administratën demokrate dhe ka njoftuar planet për të trajtuar inflacionin që në ditën e parë nëse zgjidhet.
Trump argumenton se inflacioni mund të reduktohet pa rritur normat e interesit dhe në vend të kësaj avokon për uljen e normave të interesit.
Në mandatin e tij të dytë, ai planifikon të vendosë tarifa të reja, të ulë taksat dhe të rrisë prodhimin e karburanteve fosile.
I njohur për qasjen e tij “Amerika e Para” (America First), Trump synon të mbrojë interesat e SHBA-së përmes një qëndrimi proteksionist në tregti.
– Gjuhë e kujdesshme në deklaratat e politikës së jashtme
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump ishte i kujdesshëm me gjuhën e tij në lidhje me politikën e jashtme.
Duke e quajtur vazhdimisht Bidenin një president të keq, Trump e akuzoi atë se e çoi botën në kaos me mënyrën e trajtimit të situatave në Ukrainë dhe Lindje të Mesme.
Edhe pse ai vendosi të njohë Kudsin si kryeqytetin e Izraelit gjatë mandatit të tij të parë, Trump bëri fushatë në “shtete të luhatshme” si Michigan, ku banon një popullsi e madhe muslimane amerikane dhe arabe.
Ai gjithashtu pretendoi se administrata e tij do të ishte më mbështetëse për Izraelin sesa Partia Demokratike.
Në tubimet e tij, Trump shpesh shprehu mbështetjen për Izraelin dhe sugjeroi që, nëse zgjidhej president, Irani nuk do të guxonte të sulmonte Izraelin.
Ai gjithashtu kritikoi, ndonëse në një mënyrë të butë, sulmet e Izraelit ndaj civilëve dhe vendbanimeve në Gaza.

