Shtetasit të Maqedonisë i gjenden targat bullgare në veturë, dyshohet se i është shmangur pagesës për doganë

Nga Drejtoria e Doganave njoftojnë se një shtetasi të Maqedonisë së Veriut i janë gjetur targa bullgare nga një veturë që ka realizuar hyrje në vend në vitin 2019, por që nuk është regjistruar dalja e së njëjtës, përcjell TV21. Edhe pse shoferi ka deklaruar se e ka kthyer veturën në Bullgari, nga Doganat thonë se i njëjti dyshohet se u ka ikur detyrimeve për doganim.

“Nëpunës doganorë gjatë kontrollit të automjetit me targa të Maqedonisë së Veriut, që po drejtohej nga një shtetas i jonë, i paraqitur për dalje nga shteti në vendkalimin “Dellçevë”, zbuluan komplet të targave dhe patent shofer bullgar. Shoferi ka deklaruar se të njëjtat janë nga automjeti të cilin e ka kthyer në Bullgari, por, në pajtim me evidencën për hyrje dhe dalje të automjeteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është konstatuar se automjeti ka realizuar hyrje në shtet në vitin 2019, ndërkaq më pas nuk është evidentuar në dalje nga shteti. Për shkak të dyshimit se automjeti është lëshuar në qarkullim të lirë pa u doganuar paraprakisht dhe pa u paguar taksat për import, kundër pronarit është nisur procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.