Javën e kaluar u zhvillua në Institutin “Konfuci” pranë Universitetit të Tiranës ceremonia e promovimit të librit “Analet, Konfuci” në gjuhën shqipe, i botuar nga shtëpia botuese “Papirus”.
Sipas drejtorit ekzekutiv të shtëpisë botuese “Papirus” Benet Koleka, përkthimi i veprës “Analet, Konfuci” në gjuhën shqipe zgjati për tre vjet. Gjatë kësaj periudhe, shumë dijetarë kinezë bënë ndreqje, për të siguruar përkthimin e saktë të librit. Deri tani “Papirus” ka përkthyer e botuar shumë libra kinezë nga filozofia, letërsia e ekonomia, duke u pritur mirë nga lexuesit shqiptarë.
Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e promovimit, sinologu dhe kryetari i Shoqatës Kulturore “Alb-China” Iljaz Spahiu u shpreh se deri tani janë botuar në gjuhën shqipe veprat ”Tao Te Ching – Rruga drejt virtytit”e “Arti i Luftës” dhe botimi këtë herë i librit “Analet, Konfuci” do të bëjë që filozofia e lashtë kineze të njihet më gjerësisht në Shqipëri. “Kam mësuar se disa pedagogë të shkollave të larta janë të gatshëm që ta propozojnë këtë libër si tekst ose material mësimor për studentët e Fakultetit të Filozofisë,” tha Iljaz Spahiu.
Drejtori i palës kineze i Institutit “Konfuci” të Universitetit të Tiranës Zheng Baoguo u shpreh se promovimi në këtë institut i librit “Analet, Konfuci” në gjuhën shqipe ka rëndësi të veçantë. Instituti “Konfuci” do të organizojë studentët që ta lexojnë dhe ta diskutojnë këtë libër, për të thelluar njohuritë e tyre për kulturën tradicionale kineze.
