Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në emisionin Daily Click në TV21, bëri të ditur se 8 komunat e Pollogut do të ndërtojnë strehimore rajonale për qentë endacak. Siç bëri të ditur Limani, strehimorja e qenëve endacak do të ndërtohet në Komunën e Vrapiçishtit, ku siç tha kanë marrë edhe lejen për ndërtim nga kryetari i Vrapçishtit.
Limani gjithashtu bëri të ditur se ky projekt do të kushtojë gjysmë milionë euro, dhe se barra më e madhe për ndërtim do të jetë e Komunës së Gostivarit dhe Komunës së Tetovës, si dy komunat më të mëdha në Pollog.
“Ne së bashku me 8 komunat tjera të Pollogut kemi përpiluar një projekt, një strehimore rajonale për 9 komunat e cila duhet të ndërtohet në Komunën e Vrapçishtit e kemi edhe lejen e ndërtimit nga kryetari i Komunës. Sot kemi një takim me kryetarët e komunave të Pollogut ku do ta bisedojmë edhe mënyrën e financimit. Strehimorja rajonale sipas përllogaritjeve do të kushtojë afër 500 mijë euro”, tha në Daily Click, Valbon Limani – kryetar i Gostivarit.
