Nga koalicioni VLEN në një komunikatë për media kanë bërë të qartë qëndrimin e përbashkët si koalicioni duke theksuar se janë të përkushtuar ndaj agjendës evropiane, por siç shtojnë, integrimi kërkon bashkëpunim dhe maturi, si dhe përgjegjësi nga të gjitha subjektet politike. Tutje në komunikatë theksojnë se “afati gjashtëmujorë nuk është vetëm kornizë kohore, por një obligim që e kuptojmë dhe respektojmë”.

Kumtesa e plotë e koalicionit VLEN.

“Duke pasur parasysh spekulimet dhe interpretimet e ndryshme lidhur me qëndrimin tonë për afatin gjashtëmujor, koalicioni VLEN e bën të qartë qëndrimin si vijon:

Qeveria e re, në të cilën koalicioni VLEN është një partner i përgjegjshëm dhe aktiv, është thellësisht e përkushtuar ndaj agjendës evropiane. Ajo po punon në mënyrë aktive për të përmbushur me dinjitet kushtet që do të dinamizojnë procesin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ne, ministrat e VLEN-it, gjithmonë kemi demonstruar përkushtimin më të lartë ndaj integrimeve evropiane, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Afati gjashtëmujor nuk është vetëm një kornizë kohore, por një obligim që e kuptojmë dhe e respektojmë.

Megjithatë, është e nevojshme të respektohen logjika politike dhe realiteti. A ka shumicë prej 2/3 në Kuvend pa deputetët e VMRO-DPMNE-së? Jo, nuk ka. Pikërisht këtu qëndron thelbi: integrimi kërkon bashkëpunim, maturi dhe përgjegjësi nga të gjitha subjektet politike. VLEN nuk i harron obligimet, por rikujtojmë se zgjidhja nuk mund të jetë e njëanshme.

Qeveria ka plan të qartë, strategji dhe hapa veprues që ndërmerren çdo ditë. Mbështetja jonë, jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën, ka shpëtuar procese kyçe. Me një hap të tillë siguruam fillimin e negociatave me BE-në.

Apelojmë tek të gjithë faktorët shoqërorë, përfshirë partitë politike, të ndalojnë manipulimet e politike në kurriz të integrimeve evropiane. E ardhmja evropiane është mbi politikën e kalkulimeve të përditshme”.