“Jam rritur në çdo aspekt. Çdo ditë mësoj diçka të re, punoj për t’u përmirësuar vazhdimisht. Ju siguroj se kjo nuk është një frazë klishe”. Kështu flet José Mourinho, duke reflektuar mbi karrierën e tij të pasur, 20 vite pas fitores së parë të Champions League me Porton.

Karriera e tij ka qenë një udhëtim nëpër Europë, me ndalesa të paharrueshme. Në Itali shkroi historinë me Interin, duke fituar “tripletën” (Serie A, “Coppa Italia”, dhe Champions League). Te Roma shtoi një tjetër faqe të lavdishme me triumfin në ‘Conference League’, në finalen e Tiranës.

Megjithatë, pas suksesit në Tiranë me verdhekuqtë, erdhi edhe zhgënjimi: humbja në Budapest kundër Sevilla, në finalen e “Europa League”. Mourinho pranon se ishte gabim personal vendimi për të mos u larguar nga Roma në atë moment, gjë që çoi në një cikël të përfunduar në mënyrën më të keqe me shkarkimin e tij vitin e kaluar.

“Special One” diskutoi se çfarë e bën një trajner të madh, duke theksuar disa vlera kryesore:

Rezultatet: “Madhështia e një trajneri është tek arritjet, jo në filozofinë e tij”.

Njerëzillëku: “Nuk është egoizmi që të bën të madh, por ndershmëria dhe guximi për të qëndruar i pavarur intelektualisht”.

Përshtatja: “Duhet të kesh harmoni me brezat e rinj të kolegëve”.

Integriteti: “Të flesh i qetë natën, duke ditur se ke vepruar me ndershmëri”.

Mourinho vlerësoi edhe një nga rivalitetet më të mëdha të tij, me Pep Guardiolën. Pavarësisht krizës së fundit të Manchester City, portugezi e mbron Guardiolën:
“Vetëm Pep mund të flasë me kompetencë për situatën e tij. Çdo gjë tjetër i konsideroj thjesht banalitete dhe sipërfaqësi”.

Mourinho mbetet një figurë unike në botën e futbollit. Me trofe dhe suksese të shumta, por edhe me sfida dhe momente të vështira, ai vazhdon të jetë shembull i përkushtimit dhe reflektimit. Çdo ditë e re është një mundësi për të mësuar dhe në këtë rrugëtim, ai mbetet një nga trajnerët më të shquar të historisë së futbollit.

The post Mourinho dhe karriera e tij: Çdo ditë mësoj diçka të re, jam gjithmonë në rritje appeared first on Telesport.