“Gjithmonë e mendoj një gol ndaj Serbisë”, Seferi i bindur: Nuk do shmangia Anglinë dhe Serbinë, bashkë realizojmë ëndrrën – Botëror

Shqipëria bëhet gati për vitin 2025, me kuqezinjtë që synojnë të shkruajnë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në një Botëror. Për të arritur këtë objektiv, ekipi i Sylvinhos duhet të kalojë prova të vërteta, teksa jemi në një grup me gjigandë si Anglia dhe me një kundërshtar të hidhur si Serbia.

Sulmuesi i kombëtares, Taulant Seferi, në një intervistë për Sport News në News 24, kujton momentet e bukura të vitit 2024, me kulmin që ishte Euro 2024.

Seferi është i bindur se Shqipëria ka potencialin për të realizuar ëndrrën, pra për të shkuar në Botëror.

Sport News: Seferi, do e “fshije” “Euro2024” për një kualifikimin në Botëror?

Taulant Seferi: Padyshim se po. E kam thënë edhe më herët që kamë qenë tifoz i kombëtares. Botërori do të ishte historia jonë.

Sport News: E imagjinon një gol ndaj Serbisë dhe një festë me Shqiponjë…

Taulant Seferi: Gjithmonë e mendoj një gol ndaj Serbisë.  Nuk dua të merrem me provokime, do zoti do shënoj dhe të bëj krenarë gjithë shqiptarët.