Agjencia Bullgare e Infrastrukturës Rrugore është pjesërisht fajtore për aksidentin tragjik në autostradën e Strumës, ku humbën jetën 45 persona nga Maqedonia, turistë që po ktheheshin nga Turqia. Ky është vendimi i Gjykatës së Rrethit në Pernik.

Në vendim shkruhet se shoferi e ka drejtuar autobusin me shpejtësi prej 106 kilometrave në orë, që është shpejtësia maksimale e lejuar në pjesën prej 120 kilometrave. Gjatë projektimit të autostradës nuk u respektuan karakteristikat gjeometrike.

Aksidenti në autostradën e Strumës ka ndodhur herët në mëngjesin e 23 nëntorit 2021, në afërsi të fshatit Bosnek. Autobusi, i cili transportonte 52 persona, është përplasur me parmakët në rrugë, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht. Autobusi në pronësi të kompanisë “Besa Trans” nga Maqedonia po kthehej nga Stambolli për në Shkup.

Në proces gjyqësor që u zhvillua në Bullgari, shoferi, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident, u shpall fajtor. Në gusht të vitit 2022, familjarët e viktimave kanë ngritur padi për dëmshpërblim prej 750 mijë eurove kundër Agjencisë Bullgare të Rrugëve dhe Shoqatës Bullgare për sigurime të automjeteve.

Në proces gjyqësor në Maqedoni, pronari i “Besa Trans” Bekim Haxhiu është dënuar me një vit e tetë muaj burg për falsifikimin e dokumenteve që i përdornin shoferët kur dilnin jashtë vendit me autobusët e tyre. Me gjobë prej 800.000 denarëve është gjobitur edhe kompania “Besa Trans” si person juridik dhe i është ndaluar marrja e lejes për transport rrugor në afat prej katër viteve nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit. Kjo çështje nuk kaloi në Gjykatën e Apelit në dhjetor të vitit të kaluar dhe është kthyer për rigjykim.