Ka dhjetë ditë që mjekët amë nuk mund të caktojnë termine urgjente për rëntgen për pacientët e tyre, ndërkaq për termine të rregullta pacientët duhet të presin se paku 15 ditë, tregon kryetar i Shoqatës së mjekëve të mjekësisë së përgjithshme, doktori Dragan Gjorgjievski. Ai thotë se ka 10 vjet që ka probleme me sistemin “Termini im” që zakonisht institucionet shëndetësore për arsye të ndryshme bllokojnë termine, por nuk ka ndodhur asnjëherë që të gjitha institucionet si në këtë rast, të gjitha poliklinikat e Shkupit, të bllokojnë terminët.

“Në asnjë poliklinikë, mbrëmë për shembull, Çair, Poliklinika “Bit Pazar”, “Jane Sandanski”, “Bukuresht” e as në Klinikën e radiologjisë në “8 Shtatori” nuk mund të caktohet udhëzim për 24 orë. Nuk është në rregull që ne si mjekë amë të mos mund të japim udhëzime të tilla kur kemi gjendje urgjente, unë e di se ka bllokada të termineve me urgjencë për shkak të keqpërdorimeve, por institucionet atë duhet të rregullojnë në formë tjetër nuk mund të na bllokojnë kur kemi situata urgjente ose dyshojmë për fraktura, ose diçka tjetër”, tha Dragan Gjorgjievski.

Më shumë e pësojnë personat që duhet të operohen e ju duhet incizim rëntgeni, thotë Gjorgjievki, e në shumë raste qytetarët drejtohen nëpër Klinika private. Ai tregoi se në Poliklinikën “Jane Sandanski” nuk japin termine sepse nuk punon aparati. Për TV21 nga Shtëpia e Shëndetit thonë se ka disa ditë që aparati i rëntgenit është jashtë funksionit.

“Ka rreth 10 ditë që aparati i rëntgenit nuk funksionin për shkak të një defekti të madh, me softuer, problemi është paraqitur menjëherë dhe janë angazhuar ekspertë në këtë drejtim. Pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim nuk kthehen mbrapa por i drejtojmë për në shtëpitë e tjera të shëndetit, siç janë Poliklinika e Bit Pazarit, Bukureshtit, Idadija, Çair e kështu me radhë”, thotë Shtëpia e Shëndetit – shkup

I pyetur për këto probleme, Ministri i Shëndetësisë tha se është i njoftuar dhe se po kërkojnë zgjidhje bashkë më institucionin “Termini im.”

“Unë sot para se të vij këtu kisha takim me institucionin “Termini im” dhe u morëm vesh se si të bëjmë më shumë hapësirë për kontroll të pacientëve sa më shumë termine, sidomos në brendësinë e vendit, por edhe në shtëpitë e shëndetit, nuk kam informatë se diku nuk punon aparati rëntgen, në qoftë se ka problem, duhet të reagohet menjëherë dhe të ndërmerren masa”, deklaroi Arben Taravari.

Për ta rregulluar problemin me termine të lira, i pari i shëndetësisë Taravari tha se do të angazhojë edhe specializantët, të cilët nën mbikëqyrje të specialistëve do të realizojnë kontrolle të pacientëve, kjo po bëhen në bashkëpunim me Odën e Mjekëve dhe për këtë, siç tregoi ministri, po përgatiten vula për specializantët.