Në njërën anë Mali Sharr, në anën tjetër Karadaku i Shkupit. Kjo pamje është e mundshme vetëm nga maja e Vodnos, ku sot shumë qytetarë kërkuan “shpëtim”.

Plan aksionar për zbatim ka, ndërsa Ministria i rikujton institucionet dhe komunat se si duhet të punojnë.

“Kishim takim për masat përfundimtare. E para do të jetë kthimi, kështu që do të mundohemi edhe një herë ta vendosim në funksion të plotë gazifikimin e RMV-së. Do të mbështeten inverterët dhe sistemet tjera, zëvendësimi i drurëve dhe mjeteve tjera për ngrohje. Punojmë edhe për kompanitë taksi, që të inkurajohen të shfrytëzojnë automjete elektrike”, tha Izet Mexhiti – ministër i Ambientit Jetësor.

Ndërsa ajri më së shumti pengon kur jeni në opozitë.

“DPMNE nuk ka zgjidhje e as politika për uljen e ndotjes. Si parti e përgjegjshme LSDM kërkon pushteti t’i pranojë masat që i propozon LSDM për luftën kundër ndotjes së ajrit dhe t’i realizojë”, u shpreh Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

Menjëherë reagoi VMRO-DPMNE-ja.

“Kur LSD propozon masa, duhet të informohen mirë, të paktën të kërkojnë në internet, do të shohin se ato masa që i propozojnë si urgjente, tashmë janë sjellë dhe po zbatohen”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Në hartën e “Numri i viktimave nga ajri i ndotur në Europë, rasteve të parakohshme të vdekjes së 100 mijë banorëve, nga ekspozimi në ajrin e ndotur”, Maqedonia është në vendin e parë me 255 raste të vdekjes të 100 mijë banorë.

Edhe pse Shkupi është në majë të listave botërore për nga ndotja, nuk u plotësua kushti për shpalljen e gjendjes alarmante dhe masave urgjente. Që kjo të ndodhë, duhet të paktën në dy pika matëse, dy ditë radhazi të ketë mbi 150 mikrogramë të grimcave PM në metër kub.

Qytetarët shpëtim shohin në valën e paralajmëruar me shi dhe borë që pritet të fillojë nesër.