Kohën e pauzës kanë vendosur të mos pushojnë. Kanë printuar fletushkat në kërkim të pagave me dinjitet dhe dolën në protestë për të shprehur revoltën e tyre. Disa nga këta protestues që po shihni punojnë për 25 mijë denarë në muaj. Mesdita e së martës dukej kështu para shumë ministrive dhe disa institucioneve tjera shtetërore, ku paga mesatare e punonjësve administrativ është rreth 29 mijë den. Ata thonë se janë të diskriminuar dhe kërkojnë rritje të pagave për 30% me firmosje të marrëveshjes kolektive. Kryetari i Sindikatës së SPOGJ kërkoi nga qeveria që sigurohen mjete për këto rritje pagash.

Ndonëse këto kërkesa janë të gjithsej 2,447 punonjësve në gjitha këto institucione, qeveria nuk ka paraparë mjete nga buxheti vitit 2025 për rritje të pagave rreth 6 mijë denarë për këta punonjës, të cilëve sërish do t’ju mbetej paga nën mesataren shtetërore, e cila aktualisht është 42,124 denarë.

Nga Qeveria theksojnë se janë të hapur për dialog që t’i shqyrtojnë kërkesat e sindikalistëve. Zëdhënësja e ekzekutivit Marija Miteva tha se nuk duhej të ishte hapi i parë i tyre protesta me grevë, por dialogu.

Sindikalistët thonë se edhe të mërkurën e të enjten do të protestojnë nga ora 11:00 nëpër institucione të ndryshme si Ministria e Ekonomisë, Ministria e Ekologjisë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Ministria e Drejtësisë, Ministria Transformimit Dixhital, Ministria e transportit dhe lidhjeve, Ministria e Bujqësisë, Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Byroja Metrologjisë, dhe të tjerë, të cilët bashkërisht të premten do të mbajnë protestë masive para Ministrisë së Financave.