Nëse Qeveria do të donte dialog, ne do të ishim ulur deri tani në tavolinë dhe nuk do të ishim në rrugë. Kështu deklaroi sot kryetari i Sindikatës së Administratës, Autoriteteve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve, Trpe Deanoski, në ditën e tretë të protestës së punëtorëve në gjashtë ministri dhe dy institucione, të cilët kërkojnë rritje për 30% të pagave të tyre.

Protestës iu bashkuan edhe punonjësit në Entit të statistikave, por nuk patën kurajo të flasin para kamerave. Për gjysmë ore të pauzës së tyre, para institucioneve shtetërore punonjësit shprehën revoltën se përse nuk firmoset marrëveshja kolektive.

Nga Sindikata thonë se në disa ministri kanë nisur edhe kërcënimet ndaj punonjësve që mos të dalin në protestë. Ata hedhin poshtë pretendimet e qeverisë se po mbahet një grevë. Sipas Trpe Deanoskit, kjo është protestë gjysmë ore pa penguar procesin e punës, ndonëse akoma nuk po thirren nga Qeveria për të dialoguar.

Ndërkaq, krye në veti shkuan në takim sindikalistë të tjerë që të zhvillojnë bisedime paralele në qeveri. Nga Sindikata e pavarur e administratës publike, pas takimit me përfaqësues të ekzekutivit thonë se kanë kërkuar kushte më të mira në punë në ndryshimin e rregullores në disa nga sektorët e administratës.

Nesër do të mbahet protesta masive para Ministrisë së Financave ku 2,447 punonjës kërkojnë rritje të pagave për 30%, që nënkupton rritje nga 6 mijë denarë më shumë në muaj. Kjo do të implikonte buxhetin për rreth 3 milion euro në vit, por sindikalistët thonë se janë të diskriminuar pasi që pagat e tyre janë nga 25-29 mijë denarë. Nesër do të sqarohet se cilët do të jenë hapat e mëtejmë nëse qeveria nuk pranon bisedime për të shqyrtuar kërkesat e tyre.