Sadio Mané është një nga ata lojtarë mjaft cilësorë, që kanë vendosur të largohen nga futbolli europian për t’u transferuar në Arabinë Saudite. I mbërritur tek Al Nassr në verën e vitit 2023, sulmuesi senegalez po zhvillon një sezon të mirë nën drejtimin e Stefano Piolit, pas një viti të parë të vështirë.
Me 5 gola në 16 ndeshje të “Saudi Pro League” deri më tani, 32-vjeçari, ish-lojtar i Liverpool-it, po e ndihmon ekipin me paraqitje të mira, duke treguar gjendje të mirë fizike. Për këtë arsye, javët e fundit janë përhapur zëra për një kthim të tij në Kontinentin e Vjetër, madje emri i tij është lidhur edhe me Interin.
Por vetë Mané i ka mohuar këto zëra, pas ndeshjes së fundit të luajtur nga skuadra e tij: “Mendoj se kjo është pjesë e futbollit, si lojtar duhet t’i pranosh edhe thashethemet mediatike mbi të ardhmen.
Zërat e merkatos ekzistojnë gjithmonë, por unë nuk jam më lojtar i ri që ndikohet prej tyre. Jam këtu, i përqendruar te skuadra ime. Nuk më shqetësojn zërat. Qëllimi im është të qëndroj tek Al Nassr dhe ta ndihmoj për të fituar tituj”.
The post Mané refuzon kthimin në Europë: Dua të qëndroj tek Al Nassr dhe të fitoj tituj appeared first on Telesport.
