Për ta parë atë në fushë me fanellën e Milanit do të duhet ende pak durim, megjithatë klubi kuqezi tashmë ka realizuar goditjen e parë të sesionit të merkatos dimërore.
Kyle Walker është zyrtarisht, që nga e premtja, lojtar i ri i grupit të drejtuar nga Sergio Conceiçao, një përforcim i rëndësishëm për teknikun portugez, i cili tani mund të llogarisë një element që do t’i sjellë shumë forcë dhe fleksibilitet në mbrojtje.
Cilësi që kombinohen me një bagazh të madh përvoje dhe atë zakon për të fituar, të konfirmuar gjithashtu nga një detaj i zbuluar nga “Gazzetta dello Sport”.
BONUSI I CHAMPIONS-it
Siç shpjegohet nga “Gazzetta dello Sport”, Walker, që vjen nga Manchester City i huazuar, por me të drejtë blerjeje, në momentin e negociimit të kushteve të kontratës së tij me klubin kuqezi kërkoi përfshirjen e një “bonusi Champions-i”.
Një bonus i lidhur jo me kualifikimin në kompeticionin më të lartë europian për klubet, por të triumfit të mundshëm. Walker synon, pra, të fitojë atë që për Milanin do të ishte Champions-i i tetë në historinë e tij.
NDËR LOJTARËT MË TË PAGUAR TË SKUADRËS
Siç u tha, Walker ka kaluar te Milani me formulën e huazimit, me të drejtë blerjeje të fiksuar në 5 milionë euro. Një formulë e favorshme për kuqezinjtë, që sigurojnë kështu një mbrojtës i cili, pavarësisht 34 viteve, mbetet ende ndër më të fortët dhe më të kompletuarit në Europë.
Walker u lidh me Milanin, duke nënkuptuar një kontratë 2-vjeçare e gjysmë, me skadencë në qershor 2027, e cila parashikon pagë të rëndësishme për parametrat e klubit kuqezi: 4.5 milionë euro në sezon, plus bonuse. Mbrojtësi anglez do të jetë kështu një nga elementët më të paguar të “Djallit”. Një nga bonuset e përfshira në kontratën e tij është pikërisht ai i lidhur me triumfin në Champions League.
KTHIMI NË ANGLI
Kyle Walker do të jetë i pranishëm të dielën në “San Siro” për të parë ndeshjen e tij të parë si lojtar i Milanit (ndaj Parmës) dhe më pas do të kthehet në Angli. Një udhëtim i nevojshëm për të rregulluar disa gjëra dhe zgjidhur çështje të natyrës burokratike.
DERBI NË FOKUS
Për debutimin e tij me fanellën kuqezi në një ndeshje zyrtare do të duhet të pritet edhe pak. Walker nuk do të mund të jetë ndër protagonistët e sfidës së Champions League ndaj Dinamo Zagrebit (nuk është natyrisht në listën e UEFA-s së Milanit, ndërsa emri i tij figuronte në atë të Manchester City), ndaj debutimi i tij kuqezi do të shtyhet për në shkurt.
Më 2 shkurt në “San Siro” do të zhvillohet “Derbi i Madoninës” dhe për supersfidën me Interin, Sergio Conceiçao do të mund ta llogarisë gjithashtu edhe mbrojtësin anglez.
The post Walker te Milani për të synuar majat, ka kërkuar bonus për triumfin në Champions appeared first on Telesport.
