Edhe pse marrëveshja për kalim më të lehtë dhe shpejtë në pikat kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës u arrit në seancë ndërqeveritare që u mbajt në Prishtinë në nëntor të vitit të kaluar, tani për tani ende nuk është realizuar. Në të dyja anët të kufirit qytetarët edhe më tej presin gjatë për kontrolle. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se kjo marrëveshje do të vendoset në funksion pasi që të përfundojnë zgjedhjet në Kosovë.

“Duhet të bëhet në mënyrë praktike “one stop” në një vend të ketë ndalesë. Në Kosovë ka fushatë për zgjedhje parlamentare. Pres që pas përfundimit të fushatës ai proces të përshpejtohet. Te ne është përfunduar edhe çështja teknike edhe ajo administrative, duhet të përfundojnë atje zgjedhjet dhe të finalizojmë edhe atë proces”, u shpreh kryeminsitri Hristijan Mickoski.

Përveç kësaj, udhëtarët që shkojnë drejt Kosovës edhe më tej lëvizin nëpër autostradën me kushte katastrofale, ndërsa për këtë autostradë Shkup-Bllacë ka dy dekada që të gjitha Qeveritë premtojnë se do ta ndërtojnë. TV21 këto ditë ishte atje por përveç dy kilometrave të ndërtuara që nuk mund të lidhen me rrugën ekzistuese, asgjë nuk është ndërtuar, ndërsa ekzistojnë probleme edhe me shpronësimin e tokës. Mickoski me premtim të ri! Thotë se dokumentacioni i tenderimit është në procedurë.

“Ne mundohemi që të bëjmë zgjidhje teknike që më në fund qytetarëve t’ua mundësojmë këtë, për shkak se neve si shtet na konvenon, sepse tre herë më shumë qytetarë të Kosovës hyjnë në Maqedoni, sesa shtetas të Maqedonisë në Kosovë. Është në interes tonin që ta bëjmë këtë dhe vlerësoj se nëse bëhet kjo rrugë, ndoshta edhe më shumë, ndoshta edhe pesë herë më shumë ata do të vijnë, ndoshta edhe pse një pjesë e tyre janë vetëm në tranzit, shkojnë te fqinji ynë jugor por një pjesë mbetet këtu dhe shpenzon para. Në interes tonë është që sa më shpejtë kjo të ndodh. Ky projekt nuk është vonuar, në procedurë është, dokumentacioni i tenderimit është në procedurë”, potencoi kryeministri Hristijan Mickoski.

Përndryshe, si projekt që ende pret të realizohet është edhe autostrada Tetovë-Prizren, për çka është sjellë vendim për formimin e komisioneve të përbashkëta që bashkërisht duhet të punojnë në përpilimin e projektit. Mickoski tha se kjo autostradë do të jetë gati për rreth 5 vjet.