Një autobus i Ndërmarrje Transportuese Publike “Shkup” me numër 58 u kaplua nga zjarri derisa lëvizte tek qarkorja në fshatin Sopishte në Shkup. Nga videoja dhe fotografitë e publikuara në media shihet se si flakët përpijnë autobusin, duke e shkrumbuar të tërin. Zjarrfikësit denoncimin e kanë marrë në orën 12.30 të mesditës. Pas intervenimit të tyre, zjarri është shuar tërësisht. Udhëtarët janë evakuuar në kohë. Të lënduar nuk ka. Shoferit është dhënë ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes pasi ka thithur tym. Mësohet se zjarri ka nisur në pjesën e motorit. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka parandaluar që zjarri të kaplojë objektet fqinje dhe drurët afër të cilëve ndodhej autobusi. Përndryshe, në gjashtë muajt e fundit janë djegur 3 autobusë të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik Shkup.