Debati mbi “pronësinë” e portës së Barcelonës është ndezur pas vendimit të Hansi Flick për t’i dhënë Wojciech Szczesny rolin e titullarit, duke lënë Iñaki Peña në stol. Ky vendim, veçanërisht pas dëmtimit të Ter Stegen, ka ngjallur shumë diskutime, përfshirë edhe analizën e ish-portierit Santi Cañizares, i cili ndau mendimet e tij në një intervistë për “Cadena Cope”.

Cañizares ishte i drejtpërdrejtë: “Sinqerisht nuk e kuptoj këtë vendim. Nga ajo që kam parë deri tani, Szczesny nuk më ka bindur. Duhet të ketë diçka personale, që e ka çuar Flick te ky vendim. Aktualisht polaku nuk më duket më i mirë se Iñaki Peña, por shpeshherë trajnerët nuk shohin vetëm afatin e shkurtër, por fokusohen te plani afatmesëm dhe afatgjatë”.

Ish-portieri i Valencias shkoi më tej duke shpjeguar logjikën që mund të ketë përdorur Flick: “Unë mendoj se Flick beson që Szczesny është më i përshtatshëm për ndeshjet dhe momentet kyçe të sezonit. Çfarë po bën ai, është ndërtimi i një portieri për fazat më të rëndësishme të kampionatit. Në disa ndeshje që Szczesny ka luajtur, Barça ka fituar, pavarësisht gabimeve të tij”.

Cañizares shtoi gjithashtu se, duke pasur parasysh që Szczesny ka qëndruar për një kohë të gjatë pa luajtur rregullisht, është normale që të përballet me disa probleme: “Pas kaq shumë kohe jashtë dhe në këtë moshë, është e kuptueshme që ai të ketë vështirësi në matjen e situatave në fushë”.

Në përfundim, Cañizares ndau një mendim më të përgjithshëm: “Nuk e di nëse ky është rasti i Flick, por unë besoj se ka shumë pak trajnerë që i kuptojnë vërtet portierët. Trajneri më i zgjuar është ai që ka besim tek stafi teknik, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e portierit”.

Vendimi i Flick për Szczesny ka nxitur një debat që me gjasë do të vazhdojë, sidomos nëse rezultatet e Barcelonës nuk do të jenë në përputhje me pritshmëritë e tifozëve dhe klubit katalanas.

 

The post Pse Szczesny dhe jo Inaki Pena, titullar te Barcelona? Cañizares “skanon” arsyet zgjedhjes së Flick appeared first on Telesport.