Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, foli në konferencën për shtyp pas ndeshjes së Champions League, duke analizuar paraqitjen e skuadrës dhe vlerësuar Atalantën si një kundërshtar shumë të fortë.
“Besoj se kishim përballë një skuadër të shkëlqyer, shumë të fortë. Pjesa e dytë ishte disi ndryshe, por më pëlqeu që skuadra ime reagoi. Jemi shumë të lumtur që kemi përfunduar të dytët në grup, është një rezultat i rëndësishëm si për skuadrëm, ashtu edhe për tifozët”, – tha Flick.
Tekniku gjerman foli edhe për shortin që do të përcaktojë kundërshtarin e radhës në fazën me eliminim direct: “Është gjithmonë bukur të mendosh për ndeshjen e ardhshme, do të shohim çfarë do të ndodhë të premten. Nuk mund të ndryshojmë asgjë, duhet të presim dhe të mësojmë kundërshtarin tonë. Champions League ka shumë skuadra të mëdha, jo vetëm ato që përfunduan tetë të parat e grupit”.
Kur u pyet se cilin ekip do të dëshironte të shmangte mes Benfica, Monaco dhe Brest, gjermani tha: “Ne do të përballemi me këdo që na cakton shorti, por do të jemi të përgatitur. Sot pashë disa gjëra shumë të mira, por ka edhe gjëra që mund t’i përmirësojmë. Do të përpiqemi të bëhemi më të mirë për ndeshjen e radhës”.
I pyetur se kush mund të konsiderohet favorit për të fituar Champions League, trajneri blaugrana theksoi: “Fitorja në këtë kompeticion është një nga gjërat më të vështira në futboll. Ka shumë klube të mëdha, edhe ne e kemi kaluar fazën e parë. Mendojmë gjithmonë pozitivisht, por duhet të them se Liverpool-i po luan vërtet shumë mirë”.
Trajneri analizoi edhe repartin mbrojtës: “Ronald (Araújo) dhe Eric (García) bënë një punë të mirë. Ndeshja tregoi disa aspekte të ndryshme dhe jam shumë i kënaqur. Situatat një kundër një nuk janë të lehta, por kemi bërë paraqitje të mirë. Gjithsesi, mund të mbrohemi më mirë si skuadër”.
Flick nuk ishte aspak i surprizuar nga performanca e kundërshtarit italian: “Jo, nuk u befasova. Siç thashë edhe para ndeshjes, Atalanta është një skuadër fantastike. Gasperini po bën një punë të shkëlqyer”.
I pyetur nëse Atalanta mund të shkojë deri në fund në Champions League, Flick u përgjigj: “Mendoj se ka shanse të mëdha. U pa qartë gjatë gjithë ndeshjes që ata donin të fitonin dhe të ishin mes tetë më të mirëve. Kanë cilësi dhe shpirt gare”.
The post Flick: Jemi të lumtur për vendin e dytë, Atalanta bëri gjithçka për të na mundur appeared first on Telesport.

