Dy fitore radhazi pas tre muajsh. Nuk është një statistikë e shkëlqyer, veçanërisht kur vjen pas një suksesi jo shumë të merituar ndaj Comos. Ky fakt tregon qartë vështirësitë e sezonit të Juventusit nën drejtimin e Thiago Motta. Një rastësi apo jo, këto dy fitore erdhën pikërisht kur trajneri vendosi të aktivizonte të njëjtin formacion për dy ndeshje radhazi.

Në fakt, ndryshimi më i madh lidhet me ardhjen e Kolo Muani në qendër të sulmit. Francezi jo vetëm që ka lënë në stol Vlahovic, por është prezantuar me 5 gola në 3 ndeshje. Tani Juventusin e presin dy sfida të rëndësishme në “Allianz Stadium”, që mund të jenë vendimtare për sezonin raportin e Motta me ambientin bardhezi.

Fjala është për sfidën ndaj PSV Eindhoven, ndeshjen e parë të “play-off”-it të Champions League dhe përballjen e ethshme me Interin në kampionat. Dy sfida kyçe për t’i dhënë kthesën e duhur sezonit dhe fituar besimin e tifozëve.

PSV, ndonëse u mund bindshëm në ndeshjen e parë europiane, po kalon një moment të mirë në kampionatin holandez. Gjithsesi, ata vijnë nga një barazim në shtëpi kundër Willem II dhe kanë humbur për shkak dëmtimi mbrojtësin Nagalo, që mbetet në dyshim për sfidën me bardhezinjtë.

Ndërkohë, Juventusi do të duhet të bëjë pa Cambiaso, të cilin Thiago Motta shpreson ta rikuperojë për supersfidën ndaj Interit. Bremer vazhdon të jetë jashtë, edhe Kalulu ende nuk është rikthyer, duke e lënë mbrojtjen bardhezi në emergjencë.

Një javë vendimtare për Mottën, që mund të kalojë nga skepticizmi në një status të ri si lider i projektit bardhezi, ose të përballet me kritika edhe më të ashpra.

The post Thiago Motta hyn në javën vendimtare, PSV dhe Interi për të shpëtuar krejt sezonin appeared first on Telesport.