Në prag të ndeshjes së kthimit të “play off”-it të Ligës së Kampionëve në “San Siro” kundër Feyenoordit (me holandezët që fituan 1-0 në ndeshjen e parë), Zlatan Ibrahimovic dha disa deklarata për mikrofonat e “SkySport”:

“Sigurisht që pres një Milan më konkret, agresiv dhe me qasjen e duhur. A do të jetë ndryshe Feyenoordi? Në transfertë është gjithmonë një ndeshje tjetër, por ne duhet të mendojmë vetëm për atë që dimë të bëjmë vetë dhe të jemi të pranishëm në lojë deri në fund”.

Sa e rëndësishme është të qëndroni në Ligën e Kampionëve?
Champions League është e rëndësishme për Milanin. Kemi shkruar faqe të mëdha historie në këtë kompeticion, duam të fitojmë edhe për këtë arsye. Kur luan te Milani, duhet të jesh në Champions. E dimë mirë çfarë duhet të bëjmë.

A do të shohim sot një Milan me 4 sulmues së bashku apo një version më të kujdesshëm?
Të gjithë donin 4 sulmuesit dhe tani që janë aty, duan diçka tjetër. Këto pyetje, në çdo rast, duhet t’ia bëni trajnerit. Ne duam të fitojmë dhe kushdo që luan duhet të mendojë vetëm për këtë, pavarësisht nëse luajmë me 4 sulmues apo jo.

A ndjeni nostalgji për ndeshje të tilla që i keni përjetuar si lojtar?
Këto janë momente të bukura. Ka shumë në lojë, shumë rrezik. Janë momentet më të bukura që mund të kesh si futbollist. Pastaj varet nga secili si i përjeton. Janë momente që të kujtojnë kush je.

Sa i përket rinovimeve, a mund të na thoni diçka për Maignan, Reijnders dhe Theo?
Po flasim me të tre. Për ne gjithçka është nën kontroll. Të tre janë shumë të lumtur te Milani dhe duan të vazhdojnë me ngjyrat kuqezi. Më shumë se kaq nuk mund të them.

A është e mundur që Joao Felix të qëndrojë te Milani edhe në të ardhmen?
Çdo gjë është e mundur. Duhet ta bëjmë të ndihet mirë, po luan mirë, është vetëm fillimi. Pas kampionatit do të flasim për këtë, por për ne çdo gjë është e mundur.

Si do ta përmbledhni përvojën tuaj si drejtues pas 14 muajsh?
Jam gjithmonë i qetë. Hap pas hapi rritesh dhe mëson. Sot i mbulova flokët e bardhë (qesh). Çdo ditë ka dinamikën e vet, zgjohem dhe kam 50 mesazhe. Mësoj shumë, jap shumë gjithashtu. E shikon futbollin nga një kënd tjetër, jo vetëm nga ai individual si lojtar. Tani duhet të jem më i hapur. Kam kolegë të aftë, flasim çdo ditë. Flas më shumë me ta sesa me gruan time. Nëse është gjë e mirë apo jo, nuk e di, do ta shohim nëse pas disa muajsh mbetet kështu (qesh).

The post Ibrahimovic: Sot pres një Milan agresiv dhe konkret. Joao Felix? Mund të qëndrojë appeared first on Telesport.