Eliminimi nga Champions League ka shkaktuar shumë pakënaqësi te Manchester City. Klubi po përballet me një sezon pa trofe: jashtë Europës dhe pa shanse për titull në Premier League.

Klubi nga “Etihad” pritet të ketë një fundsezoni të trazuar, që mund të kulmojë me merkato të fuqishme. Skuadra e “Sky Blues” ka nevojë për një rindërtim të thellë. Madje, vetë Pep Guardiola pranoi dje në konferencë për shtyp se ka lojtarë që “nuk janë në gjendje të luajnë çdo tri ditë”. Më qartë se kaq nuk mund të ishte.

City është gati të investojë fuqishëm në merkato, duke përfituar nga mbështetja e “petrodollarëve”. Një shpenzim që parashikohet të jetë rekord për klubin.

Ndërkohë, kanë dalë zëra që vënë në dyshim qëndrimin e Guardiolës në projektin e ri të Manchester City. Trajneri katalanas e ka rinovuar kontratën deri në qershor 2027, por, sipas “The Telegraph”, tani është vetë Guardiola që ka kontrollin e të ardhmes së tij.

Gazeta britanike raporton se Pep nuk është penduar për rinovimin dhe do të jetë shumë i përfshirë në ndërtimin e skuadrës së re. Ai pritet të punojë ngushtë me Hugo Viana për të tërhequr lojtarë të nivelit të lartë dhe me ndikim të menjëhershëm në ekip.

Megjithatë, një hije qëndron mbi të ardhmen e tij, pasi, nëse ka diçka që nuk e bind, e ka derën e hapur nga Khaldoon Al Mubarak, presidenti i Manchester City. Marrëdhënia mes tyre është e jashtëzakonshme dhe, nëse Guardiola do të kërkonte të largohej menjëherë, klubi nuk do t’i nxirrte asnjë pengesë.

Në një skenar të tillë, Pep do të hiqte dorë nga paga e kontratës së tij. Ajo që është e sigurt është se një stuhi e madhe po afrohet në Manchester, e cila mund të sjellë tronditje totale të strukturave të klubit.

The post Kriza e pazakontë e “qytetarëve”, Guardiola e thotë më në fund: Lojtarët tanë nuk luajnë dot çdo 3 ditë appeared first on Telesport.