Partitë po përveshin mëngët për t’iu rrekur punës për kandidaturat për komunat.

Burime të TV21 brenda koalicionit VLEN bëjnë të ditur se po shqyrtohen kandidaturat e mundshme nga ky koalicion për kryetar të Sarajit, ndonëse nga VLEN zyrtarisht mohojnë.

Kështu, nga ajo që merr vesh TV21, kandidatët e mundshëm të VLEN-it për Sarajin janë:

  1. Blerant Ramadani – ASH-TARAVARI (koordinator në Qeveri për Aplikimin e Teknologjive të Reja)
  2. Muhamed Elmazi – LD (drejtorin aktual të “NOMAGAS”)
  3. Orhan Murtezani – AAA (Ministër për çështje evropiane)
  4. Hasim Murtezani – L.Besa (zëvendëssekretar gjeneral i Qeverisë)

I pyetëm të gjithë këta nëse brenda VLEN-it janë kandidat potencial dhe nëse janë të gatshëm për t’i hyrë garës?

Më i prerë në përgjigje ishte Hasim Murtezani nga “Besa”. Shkurt u përgjigj:

-“PO”, tha Hasim Murtezani nga Lëvizja BESA.

Blerant Ramadani nga ASH-Taravari na tha se është i gatshëm për garë nëse për këtë vendosin strukturat.

“Nëse populli, struktura dhe koalicioni VLEN vendosin të më besojnë këtë përgjegjësi, unë jam i gatshëm ta pranoj me përkushtim dhe seriozitet. Besoj se me vizionin dhe vullnetin tim mund të jap kontribut pozitiv për të mirën e qytetarëve. Në fund, është populli ai që vendos, dhe unë do të jem gjithmonë në shërbim të tij”, tha Blerant Ramadani, ASH-Taravari.

Orhan Murtezani nga Alternativa dhe Muhamed Elmazi nga Lëvizja Demokratike, në vend të përgjigjes, na orientuan tek qëndrimi i djeshëm i VLEN-it.

“Ne lidhje me zgjedhjet lokale dje kemi lëshuar kumtese si VLEN”, tha Orhan Murtezani, Alternativa.

“Keni komunikatë nga VLEN-i edhe ajo është e vërteta!”, tha Muhamed Elmazi, Lëvizja Demokatike.

E në kumtesën e djeshme VLEN tha se akoma nuk kanë ndarë komunat e as kandidatët, andaj apeluan për durim. Shtojnë se Koalicioni VLEN ka koordinim të vazhdueshëm, andaj për çdo çështje opinioni në kohë do të jetë i njoftuar me vendimet e Koalicionit. Përfundojnë duke rikujtuar se “pavarësisht se si do të jetë ndarja e komunave, fitoren e kanë të përbashkët gjithandej, çdo kund, në çdo komunë!”