Pasi i kritikoi gjatë, për siç tha, dëmin që ua kanë shkaktuar shqiptarëve, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, nga Çairi u bëri thirrje liderëve të VLEN-it që të dalin nga qeveria, duke i siguruar se BDI nuk do të hyjë në këtë qeveri por do të kërkojë vetëm zgjedhje të parakohshme.
“Si mund t’u shkojë mendja ta heqin gjuhën shqipe të larë me gjak. Turp! Të heqin përfaqësimin e drejtë. Prandaj, këta tanët që janë andej, le t’i braktisin këto institucione. Ne, nuk shkojmë. Ne, nuk pranojmë. Ne, pranojmë vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme në tetor, bashkë me ato lokale”, tha Ali Ahmeti.
Nga koalicioni VLEN këtë thirrje të Ahmetit e shohin si skenar që tashmë gjatë kohë po përpilohet, me qëllim që të kulmojë me bojkot të zgjedhjeve lokale.
“Po e shohim çdo ditë më shumë që z.Ahmeti është i frikësuar nga zgjedhjet lokale dhe bën të pamundurën që t’u ikë zgjedhjeve lokale dhe t’i bojkotojë lokalet. Informatat tona janë që brenda BDI seriozisht bisedohet që të mos marrin pjesë në zgjedhje lokale dhe ne këtë e shohim vetëm një lëvizje të z.Ahmeti në drejtim të krijimit të alibisë që të mos marrë pjesë në zgjedhje lokale”, tha Bilall Kasami.
Kujtojmë se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në tetor. Partitë janë në fazën e parë të kalkulimeve për këtë garë. Nga ajo që dihet deri më tani, në bllokun shqiptar, me shumë gjasa Fronti Europian do të dalë me kandidatë të përbashkët, por ende nuk është e qartë nëse me këtë format do të dalë edhe koalicioni VLEN. Këta të fundit do të marrin mbështetjen e VMRO-DPMNE-së në ato komuna ku VMRO nuk do të ketë kandidatët të saj ose në rrethin e dytë nëse nuk kanë kandidatë në garë. Këtë e ka pohuar kryetari i DPMNE-së Mickoski.
