Giorgio Chiellini është rikthyer te Juventusi prej pak muajsh, megjithëse për momentin po mban një rol përfaqësues, larg fushës së lojës. Tifozët bardhezinj presin që ai të bëhet pjesë e grupit sa më shpejt dhe, me shembullin e tij, ta ndihmojë “Zonjën e Vjetër” të rikthehet te fitorja. Ndërkohë, ish-mbrojtësi ka folur për situatën aktuale të Juventusit, duke dhënë një sugjerim për Giuntolin dhe Thiago Mottën, por pa hyrë në detajet e problematikave të momentit.

“Në vitin 2015 përjetuam diçka të ngjashme. E nisëm shumë keq dhe në tetor humbëm ndaj Sassuolos, ku edhe unë u përjashtova me karton të kuq. Ishte një periudhë mungese qartësie dhe në atë moment ishte vendimtare ndërhyrja e Buffonit, i cili na shtyu të ndryshonim diçka. Gigi ka vlera që i ka në zemër, ai arriti të prekte fijet e duhura te të gjithëve dhe të na kthente në rrugën e duhur. Pastaj, përveç kësaj, ishte edhe puna e përditshme, por ajo që ndezi sërish krenarinë tonë dhe që na bëri të ringrihemi ishin fjalët e tij”.

A i mungojnë këtij Juventusi liderë si Chiellini?
Unë gjithmonë jam përpjekur të jem një shembull përkushtimi, vazhdimësie, sakrifice dhe qëndrueshmërie për shokët e mi, sidomos për më të rinjtë. Gjithmonë jam përpjekur të fitoj respektin e të gjithëve për atë që bëja, madje edhe më shumë se për atë që thoja. Në një mjedis si yni, ku gjërat lëvizin me shpejtësi të madhe, është e rëndësishme t’ia nisësh nga bazat dhe të ndërtosh një marrëdhënie të mirë njerëzore me të gjithë. Ndonjëherë mund të ndodhë një përballje publike, veçanërisht në situata emergjente, por në privat zgjidhen vërtet problemet. Për sa më përket mua, pas të 30-ave nuk ishte e lehtë të përfaqësoja 25 persona me mosha, kultura dhe prejardhje të ndryshme, edhe pse të gjithë me të njëjtin objektiv si ai i klubit. Nuk është e thjeshtë, duke pasur parasysh që luajnë vetëm 11 lojtarë nga 25, më pak se gjysma, dhe që shpesh ka hierarki për t’u respektuar. Çdo vit ndryshonin 7-8 lojtarë në ekip dhe shpesh niseshim nga zero. Të isha ura lidhëse mes të vjetërve dhe të rinjve nuk ishte e lehtë, por përpiqesha sa më shumë të kuptoja njerëzit për të nxjerrë më të mirën prej tyre.

Çfarë mendimi keni për trajnerin Thiago Motta?
Para së gjithash i duhet dhënë kohë. A është i nevojshëm durimi si për lojtarët e rinj, ashtu edhe për trajnerët? Durimi dhe ekuilibri duhen në çdo gjë. Unë sapo kam mbërritur, studimi dhe njohja janë hapa thelbësorë, ndërsa përulësia për të dëgjuar dhe për t’u përmirësuar janë elementë vendimtarë.

The post Chiellini dhe kriza e Juves: Situatë e ngjashme me 2015-ën, atëherë Buffon ishte vendimtar me fjalët e tij appeared first on Telesport.