Koalicioni VLEN tha se, e vetmja mënyrë që BDI t’i shmanget humbjes në zgjedhjet lokale, është që t’i bojkotojë atë dhe në ditën e votimit,, të provokojnë me tensione. Sipas VLEN, kjo është karta e fundit e BDI-së që siç thotë, e dinë që shqiptarët nuk u besojnë më dhe nuk i duan më në pushtet.
“BDI e di se ka vetëm një mënyrë për të shmangur humbjen: të bojkotojë zgjedhjet dhe të provokojë tensione në ditën e votimit! Kjo është karta e tyre e fundit, sepse e dinë që shqiptarët nuk u besojnë më dhe nuk i duan më në pushtet.
Ali Ahmeti vetë e pranoi nga Likova: BDI po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale! Çfarë tregon kjo? Që BDI nuk ka as ide, as program, as njerëz të rinj – por vetëm frikën nga shantazhi.
Kjo parti, e cila për dy dekada i ka mbajtur shqiptarët peng me gënjeshtra dhe manipulime politike, sot është e kapur nga një klikë e zhytur në korrupsion dhe panik. Tani nuk vendos më as anëtarësia e saj dhe as votuesit – BDI komandohet me telekomandë nga i arratisuri Artan Grubi”, thotë VLEN
Ndërkohë, BDI tha se zyrtarët e VLEN-it në flagrancë u kapën për korrupsion dhe që t’i mbulojnë skandalet e tyre, tha se shpikin teori absurde për të larguar vëmendjen.
“Pas skandaleve ku zyrtarët e tyre u kapën në flagrancë për korrupsion, VLEN ka humbur kontrollin dhe po sillet si një anije pa busull. Në vend që të japin përgjigje për aferat ku janë përfshirë, tani shpikin teori absurde për të larguar vëmendjen nga skandalet e tyre. Një parti që ka zyrtarë të akuzuar për korrupsion dhe të përfshirë në afera të rënda nuk mund të flasë për të tjerët. Shqiptarët e shohin qartë se kush po punon për ta dhe kush po tenton të shpëtojë nga ndëshkimi. VLEN nuk ka më as ide, as vizion – vetëm panik dhe shpifje”, tha BDI.
