Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë fjalimit të tij para Kongresit emëroi një anëtar të ri të Shërbimit Sekret të SHBA-së, një 13-vjeçar i cili i ka mbijetuar kancerit tash e 6 vjet, transmeton TV21.

Trump tha se djali, i quajtur DJ Daniel, i cili u vesh me një uniformë të policisë së Hjustonit, e që ishte ulur me babanë e tij në galerinë e Dhomës së Përfaqësuesve, kishte ëndërruar gjithmonë të bëhej oficer policie.

“Në vitin 2018 DJ u diagnostikua me kancer në tru. Mjekët i dhanë maksimumi pesë muaj jetë. Kjo ishte më shumë se gjashtë vjet më parë,” tha Trump, nën duartrokitje të forta nga dhoma.

Që atëherë, tha Trump, DJ ishte betuar si oficer nderi i zbatimit të ligjit disa herë.

“Departamentet e policisë e duan atë. Dhe sonte, DJ, ne do t’ju bëjmë nderin më të madh. Unë po i kërkoj drejtorit tonë të ri të Shërbimit Sekret, Sean Curran, që të të bëjë zyrtarisht një agjent të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.

Sytë e djalit u hapën nga habia dhe babai e ngriti lart. Curran i dha djaloshit atë që dukej të ishte një kredencial i Shërbimit Sekret, të cilin djali e ngriti që turma ta shihte, dhe më pas i vuri menjëherë krahët rreth shpatullave të Curran, duke i dhënë një përqafim./tv21.tv