Në Haraçinë të Shkupit sot edhe zyrtarisht është hapur çerdhja për fëmijë, e cila do të ketë kapacitet për 115 fëmijë, përcjell TV21. Përveç kreut të komunës Ridvan Ibrahimi, në përurimin e objektit ishte edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili mes tjerash iu përgjigj edhe akuzave të pushtetit se BDI po përpiqet të destabilizojë vendin.
“Pavarësisht gojëkëqijve, që na paraqesin si të rrezikshëm e destabilizues, nuk janë njerëz destabilizues e turbullues ata që hapin çerdhe, hapin universitete. Hapin universitete pikërisht mu aty ku u janë bërë plane shqiptarëve, për të shfarosur nënën, bashkë me fëmijët shqiptar. Ne jemi bashkë me fëmijët këtu, me të ardhmen, dhe kjo e ardhme do të ketë mbështetje të gjeneratave që qëndrojnë mbi supe e shpatulla të të gjithë atyre njerëzve të plejadës, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, që shqiptarët të jenë të nderuar, të përfaqësuar dhe zot në shtëpi të vet”, tha mes tjerash Ahmeti.
