Të martën, në ditën kur është caktuar seanca parlamentare për interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, në të njëjtën kohë, Dameva, Crvenkovska, Çaçarova-Ilievska, Mustafa dhe Ademi do të jenë në seancën e Këshillit. A po tregojnë me këtë se nuk do t’i respektojnë vendimet e deputetëve, duke pasur parasysh se në deklaratat e tyre të mëparshme, pjesa më e madhe prej tyre kanë thënë se, edhe nëse votohet interpelanca, nuk do të japin dorëheqje? Kryeministri Mickoski nuk dëshiroi të komentojë dhe tha se do të presë që fillimisht të prononcohen deputetët.
“Le të vazhdojnë ata me punën e tyre, parlamenti e ka punën e vet. Unë do t’i ndaja këto dy gjëra, këto dy aktivitete. Nuk do të doja të komentoja nëse kjo do të thotë respektim apo mosrespektim i vendimit të parlamentit. Le të presim që të prononcohen deputetët, e më pas mund të komentojmë”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
As kryeprokurori Lupço Kocevski, nuk e ka ndër mend të japë dorëheqje. Ai dje deklaroi se nuk sheh asnjë arsye për shkarkimin e tij, pasi nuk ka asnjë shkelje disiplinore dhe i hodhi poshtë të gjitha pretendimet në propozimin qeveritar për shkarkimin e tij. Megjithatë, me këtë qëndrim nuk pajtohet kryeministri Mickoski.
“Kocevski ka të drejtë për të dhënë mendimin e tij, ky është shtet demokratik dhe ai e ka shprehur qëndrimin e tij. Sa i përket punës së tij deri më tani, supozoj se do të kenë çfarë të thonë ata që e kanë zgjedhur, d.m.th. deputetët. Prandaj, le të presim që lënda të arrijë para deputetëve, e më pas mund të komentojmë në lidhje me atë që do të bisedohet dhe debatohet dhe cilat janë ata argumente me të cilat do të kontestohen ose demantohet deklarata apo qëndrimi i Kocevskit”, shtoi Mickoski.
Me nismat për shkarkimin e 5 anëtarëve të Këshillit gjyqësor, por edhe të kryeprokurorit, opozita akuzon se me këtë po bëhet partizim flagrant i gjyqësorit dhe prokurorisë si dhe sulm ndaj demokracisë.
