Milan ka marrë një fitore me plot vuajtje në transfertë ndaj Lecce-s, ndeshje e vlefshme për javën e 28-të në Serie A. Kuqezinjtë e Sergio Conceicao-s shënuan që pa vajtur minuta e parë, me Santiago Gimenez, pas asistit të Theo Hernandez. Por, festa e kuqezinjve u prish nga ndërhyrja e VAR, që e cilësoi golin e parregullt për pozicion jashtë loje të sulmuesit meksikan.

Në minutën e 6′, zhbllokohet rezultati, por ketë herë ishin vendasit ata që festuan. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Helgason bën gjithçka mirë dhe pason për Nikola Krstovic, i cili me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, dërgon topin në rrjetën e Sportiello.

Në minutën e 15-të, goditje dënimi për Milan, Theo Hernandez kroson bukur në zonë dhe Matteo Gabbia dërgon topin në rrjetë. Sërish festa e kuqezinjve prishet nga VAR, që e anullon dhe këtë herë golin për pozicion jashtë loje të mbrojtësit kuqezi. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Lecce-n.

Në mintën e 58-të, ishte sërish Nikola Krstovic që shënoi golin e dytë për vendasit me një tjetër goditje të bukur, por këtë herë brenda zonës.

Pikërisht atëherë kur u mendua se kuqezinjtë ishin dorëzuar, ata reaguan duke shënuar dy gola të shpejtë brenda 4 minutash. Fillimisht në minutën e 68-të, goditja e Joao Felix devijohet në mënyrë të pafat në rrjetën e tij nga Gallo. 4 minuta më pas, Milan barazon shifrat 2-2 falë penalltisë të shndërruar në gol nga Christian Pulisic.

Në minutën e 80-të erdhi përmbysja e madhe, falë një super asisti të Rafa Leao-s, Pulisic i pamarkuar në zonë, dërgon topin në rrjetë. Përfundimisht Milan fiton më shifrat 2-3 në transfertën e vështirë në “Via del Mare” të Lecce-s.

SHIKO GOLAT

The post Milan përmbys Lecce-n brenda 15 minutash, Pulisic fenomenal në pjesën e dytë (video) appeared first on Telesport.