Cadillac u miratua për t’iu bashkuar Kampionatit Botëror të Formula 1-shit në vitin 2026 si ekipi i 11-të, njoftoi të premten Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), transmeton Anadolu.
“Siç thamë në nëntor, angazhimi i General Motors për të sjellë një ekip Cadillac në Formula 1 ishte një demonstrim i rëndësishëm dhe pozitiv i evolucionit të sportit tonë”, tha Stefano Domenicali, president dhe shef ekzekutiv i Formula 1-shit.
“Prania e ekipit të Cadillacut në Formula 1 do të frymëzojë konkurrentët dhe tifozët e ardhshëm”, tha presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem.
Cadillac është markë e prodhuesit amerikan të automobilave General Motors (GM) që projekton dhe prodhon automjete luksoze.
Marka më parë iu bashkua sporteve të ndryshme motorike, duke përfshirë Serinë e Madhe Kombëtare NASCAR dhe Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë të FIA-s.
