Opozitarja LSDM ka reaguar në lidhje me marrëveshjen me “Gjoka Konstrakshën” për menaxhimin e parkingut në qendrën klinike, transmeton TV21. Sipas tyre, deklaratat e ministrit Taravari dhe kryeministrin Mickoski, ngrenë dyshime serioze se marrëveshje të turbullta fshihen pas përpjekjes për ta shitur parkingun. Socialdemokratët kritikuan kushtet për dhënien e tenderit, që është vetëm 1% e fitimit të jetë për shtetin, ndërsa çmimi i parkingut të rritet në 50 denarë, gjë për të cilën hedhin dyshime se pas kësaj fshihen interesa biznesi.

“E gjithë kjo ngjall dyshime se ky mund të jetë korrupsion klasik me provizione të larta. Prandaj ky skandal duhet zbardhur plotësisht! LSDM kërkon urgjentisht: Qeveria ta shpallë publikisht Marrëveshjen me “Gjoka”, që Komisioni Antikorrupsion dhe të gjitha institucionet kompetente të hapin menjëherë procedurë për zbardhjen e rastit. Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse tenderi është kurdisur për një kompani të marrë vesh paraprakisht”, tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.