Që nga e shtuna, Barcelona po përpiqet të përballojë një situatë të dhimbshme; të rimëkëmbet nga humbja e doktorit Carles Miñarro dhe të mos humbasë fokusin sportiv, pasi gara nuk ndalet. Të martën e pret Benfica në ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Champions League, por klubi katalanas vazhdon të jetë i tronditur emocionalisht.

Pikërisht për këtë arsye, Hansi Flick përjetoi një konferencë shtypi të vështirë, e cila u parapri nga një minutë heshtje, ku pranoi se të tijtë po përpiqen ta përballojnë këtë situatë: “Mendoj se ekipi po e menaxhon mirë situatën dhe është shumë i përqendruar te ndeshja. Presidenti foli me lojtarët në dhomën e zhveshjes të dielën, edhe unë gjithashtu”.

Kjo ishte e vetmja pyetje direkte për Miñarro, teksa Flick u shpreh për rëndësinë e punës së tij në klub dhe cilësitë njerëzore që kishte: “Për ne është humbje e madhe. Carles ishte një person i mrekullueshëm dhe mjek i shkëlqyer, ky kombinim vlerash ishte fantastik për klubin dhe ekipin. Ai ishte pjesë e rëndësishme e suksesit tonë, por jeta është kështu. E dimë që do të na mbështesë nga lart. Ekipi gjithashtu dëshiron të fitojë për të. Po e përballojnë mirë këtë lajm të hidhur dhe detyra jonë është të ecim përpara”.

Flick theksoi rëndësinë e përballjes me këtë ndeshje si një mundësi për të kujtuar Miñarro dhe për t’ia dedikuar fitoren. “Duam të luajmë për të, – tha trajneri gjerman, duke hedhur poshtë idenë e shtyrjes së ndeshjes. – Në këtë situatë është shumë e rëndësishme të fitojmë për të. Jemi gati për këtë. Duhet të vazhdojmë, kjo është puna jonë. Është një moment i rëndësishëm për klubin dhe duam të sillemi siç duhet”.

Trajneri gjerman jo vetëm që e ka ndihmuar ekipin emocionalisht, por gjithashtu ka analizuar ndeshjen e parë dhe gabimet që u bënë. Flick përjashtoi idenë që ekipi mund të ndihet i sigurt pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë:

“E shoh ekipin shumë të përqendruar, madje e kemi diskutuar ruajtjuen e vigjilencës të hënën në mëngjes. Në bisedën tonë u përqendruam te gjërat e mira dhe të këqija nga ndeshja e parë. Askush nga ana jonë nuk mendon se puna është bërë, sepse kemi ende ndeshjen e kthimit. Duam të kemi qëndrimin e duhur”.

Ndër emrat individualë, Flick foli për Raphinha, një futbollist që po kalon sezonin më të mirë të karrierës dhe është një nga kandidatët për “Topin e Artë”: “Sigurisht, nëse e përfundon mirë këtë sezon, mund të ketë mundësi. Ai gjithmonë na ndihmon shumë, nëse sheh golat që ka shënuar konstaton sa i uritur është për sukses. Është mirë të shohësh sa i përqendruar luan, jam i kënaqur me nivelin e tij”.

Pavarësisht situatës së ndjeshme që po përjeton klubi, Flick këmbënguli se sheh një ekip të gatshëm për t’u përballur me Benfica: “Gjithmonë është kështu. Më kujtohet java kur luajtëm ndaj Bayernit dhe Real Madridit, ishte diçka e ngjashme. Natyrisht, është shumë e rëndësishme që të fitojmë, veçanërisht pas rezultatit në Lisbonë. Jemi në një gjendje të mirë dhe kemi besim te vetja”.

The post Flick “vajton” ndarjen nga jeta të mjekut të Barcelonës: Ishte pjesë kyçe e jona, lojtarët duan të fitojnë për të appeared first on Telesport.