Edhe punëtorëve sezonal do t’u llogaritet stazhi i punës. Punëtorët në terren, kamerierët, punonjësit e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit që punojnë përkohësisht do të kenë kontribute të paguara. Këtë e parashikon ligji i ri që ka hyrë në procedurë parlamentare.
Të gjithë do të mund të punojnë, të papunët, të punësuarit, studentët, pensionistët. Gjithashtu, të papunët do të vazhdojnë të regjistrohen si të papunë, studentët do të mund të shfrytëzojnë bursat e tyre, kurse pensionistët do të kenë pagesa të rregullta pensionesh.
Të punësuarit do të paguhen për orë të punës dhe shuma nuk duhet të jetë më e vogël se tarifa për orë e llogaritur në bazë të pagës minimale.
Punëdhënësit, përveç kontributeve për pension dhe invaliditet, do të paguajnë edhe tatimin mbi të ardhurat personale, si dhe shpenzimet në rast dëmtimi. Ata do të jenë në gjendje të punësojnë punëtorë sezonalë në maksimum prej 120 ditësh gjatë një viti kalendarik.
“Besoj se vendosja e tyre në këtë ekonomi formale dhe në tregun e punës do të kontribuojë veçanërisht në parandalimin e emigrimit të të rinjve”, tha Dragana Bojkovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Gjobat për mosrespektim e këtij ligjit janë deri në 3 mijë euro.
Projektligji është firmosur nga deputetë të qeverisë dhe opozitës.
