Toni Kroos luajti ndeshjen e tij të fundit si futbollist profesionist më 5 korrik 2024. Ai u aktivizua me kombëtaren gjermane në “Euro 2024”, në përballjen ndaj Spanjës, për herë të fundit. Gjermania u eliminua në çerekfinale dhe kështu, mesfushori i Real Madridit i dha fund karrierës së tij.

Në rrugëtimin e tij, gjermani la pas një trashëgimi legjendare, duke fituar 6 Liga të Kampionëve dhe një Kupë Bote. Ai e mbajti fjalën kur tha se do të tërhiqej në kulmin e karrierës, duke u larguar nga futbolli si kampion i Europës me Real Madridin dhe si një nga lojtarët më të mirë të “Los Blancos”. Megjithatë, gjermani do të rikthehet në fushë, edhe pse historia ka një detaj të veçantë.

Toni Kroos nuk do të rikthehet në ndonjë ligë profesioniste, por do të luajë për ekipin e vëllait të tij, në “ICON League”. Ky është një kompeticion i organizuar nga streamer-a, krijues të përmbajtjes dhe ish-futbollistë, i ngjashëm me “Kings League”, por në Gjermani. Sezoni i dytë i kësaj lige nisi të hënën, më 10 mars, dhe pritet të ketë një mysafir special.

Kroos do të luajë për një ditë me ekipin e vëllait të tij, Félix Kroos, që quhet “Two Stripes United”. Sidoqoftë, ish-lojtari i Real Madridit ka vendosur një kusht për t’u rikthyer në fushë: “Kjo për mua është një kërkesë e padiskutueshme: Félix, duhet të sjellësh këpucët e tua të futbollit. Kjo është e qartë”.

Toni dëshiron të luajë përkrah vëllait të tij, diçka që nuk ka ndodhur që nga fëmijëria e tyre. Të dy vëllezërit e nisën karrierën e tyre te Hansa Rostock, por rrugët u ndanë shpejt. Në moshën 16-vjeçare, Bayern Munich trokiti në derën e Toni Kroos dhe ai nuk e humbi mundësinë. Më pas kaloi te Real Madridi, ku u bë legjendë. Félix, nga ana tjetër, e zhvilloi të gjithë karrierën e tij në Gjermani, duke luajtur më shumë se 300 ndeshje me Union Berlin, Werder Bremen dhe Eintracht Braunschweig.

Tani, pas kaq vitesh, të dy do të ribashkohen për një ditë në “Two Stripes United”. Ata do të kenë një sfidë të veçantë përpara, pasi ekipi i Félix përfundoi në vendin e fundit sezonin e kaluar, me vetëm 6 pikë në 13 ndeshje. Vëllezërit Kroos do të përpiqen ta ndryshojnë situatën dhe ta nisin këtë sezon me këmbën e mbarë.

The post Toni Kroos rikthehet në fushë, pas “pesnionimit” te Real Madridi. Do të luajë përkrah vëllait të tij appeared first on Telesport.