Ish-mesfushori i Juventusit dhe tani opinionist, Alessio Tacchinardi, ka folur për krizën e bardhezinjve në një intervistë për “TuttoJuve.com”: “Më duket se kjo skuadër nuk e pëlqen të vrapojë mbrapsht për t’u mbrojtur dhe pëson gola në mënyrë të tmerrshme.

Kur fillojnë të humbasin pak besimin, lojtarët lëkunden dhe pësojnë goditje të rënda. Ka diçka që është thyer aty brenda, por nuk e kuptoj nëse është një problem teknik, taktik apo mendor. Ajo që më habit është se Bologna e Thiago Mottës ishte një skuadër e qëndrueshme, ndryshe nga kjo Juve.

Në fillim të sezonit shihja Cambiaso të futej brenda fushës ashtu siç bënte Calafiori, por prej disa muajsh nuk e shoh më këtë dhe shumë gjëra të tjera. Për mua ka diçka që është prishur mes grupit dhe trajnerit”.

Është më shumë problem psikologjik apo fizik?
Është mendja e rënduar, jo këmbët. Së fundi u përballën me Fiorentinën, që kishte luajtur të enjten në Europë, por vjollcët vraponin dyfish më shumë se bardhezinjtë. E pabesueshme. Këtë e kam thënë edhe më parë, por ka shumë gjëra që nuk i kuptoj. Kundër PSV-së ishte ndryshe, aty mund të pësonin edhe më shumë se 3 gola, por të paktën patën një reagim me Vlahovic në shtesë. Pastaj serbi u zhduk, nuk e di çfarë ndodhi me të.

A e sheh të rrezikuar vendin e katërt?
Është shumë e thjeshtë: nëse luan si në dy ndeshjet e fundit, Juventusi nuk do ta arrijë vendin e katërt. Jam shumë i shqetësuar për këtë fund sezoni, ndjesitë nuk mund të jenë veçse negative. Nëse do të ishte momenti për të ndryshuar, ai do të ishte tani, gjatë kësaj ndalese. Sot nuk mund të them nëse duhet ndryshuar kjo apo ajo gjë, sepse nuk e di nëse lojtarët janë të gatshëm të sakrifikohen për Mottën. Topi tani është në duart e Giuntolit, i cili duhet të marrë përgjegjësinë dhe të vlerësojë nëse trajneri aktual është ende zgjedhja e duhur. Për momentin, të paktën në fjalë, ai po tregon besim.

Sezonin e ardhshëm, a do ta vazhdoje me Mottën apo ke një emër tjetër në mendje?
Dua të jem i sinqertë në këtë që do të them… Unë isha i pari entuziast për ardhjen e Thiago Mottës, por nuk e prisja këtë situatë. Prisja diçka më shumë nga ana menaxheriale, nuk mund ta shohësh Vlahovic në stol, diçka nuk po shkon siç duhet. Nëse më pyesni për një emër për stolin, zgjedhja ime është Antonio Conte si trajner, Alessandro Del Piero si president dhe Giorgio Chiellini në një rol si ai i Nedvedit. Kjo do të ishte Juve e ëndrrave të mia, me Alex në krye dhe Giuntoli si drejtor sportiv. Juventusi duhet t’iu kthehet juventinëve, që kanë bërë historinë e klubit. Nuk kam asgjë kundër Mottës, por në një moment kaq të vështirë, ai duhet ndihmuar më shumë. Në Firence, kur ishte 3-0, vendosi të fuste tre mbrojtës… Kjo nuk është Juve. Mjaft me këto dyzime, duhet menduar për të mirën e klubit.

 

The post “Conte trajner, Del Piero president dhe Chiellini zv.president, e ëndërroj një Juve të tillë” appeared first on Telesport.