Aventura e papritur e Alvaro Moratës në Turqi i befasoi të gjithë. Pasi u transferua te Milani verën e kaluar, më 2 shkurt ai vendosi të largohej dhe t’i bashkohej Galatasaray (në huazim, me detyrim blerjeje për rreth 10 milionë euro). Për këtë përvojë të re në karrierë, sulmuesi spanjoll ka treguar: “Kam bërë gjithçka në Stamboll. Me Alice (gruan time) shkojmë në ‘Grand Bazaar’ dhe futemi kudo. Është mbresëlënëse, shumëkulturore. Me ekipin, kur kemi një javë të gjatë, shkojmë në Antalia, pushojmë pak në plazh, është fantastike. Turqit janë shumë të respektueshëm”.
Pse vendosi të largohej nga Atletico Madridi: “Besoj se gjatë verës së kaluar duhej të mendohesha më mirë se çfarë të bëja, nëse do të qëndroja apo jo te Atletico Madridi. Kur nuk je mirë në një moment të caktuar të jetës, merr vendime të gabuara në çdo aspekt. Por nuk mund ta ndryshoj më, tani jam shumë i lumtur. Nëse do të mund të kthehesha pas…, ndoshta nuk do ta kisha marrë atë vendim. Tani që jam këtu, e kuptoj që nuk e pashë realitetin siç ishte. Pikërisht kur u shpallëm kampionë të Europës, tek Atletico Madridi kishte gjithnjë e më shumë njerëz që më donin dhe e kishin kuptuar se kush isha”.
Për ndryshimin e tij nga qershori deri tani, Morata u shpreh: “Kur kalon momente të vështira, i sheh gjërat me një sy më të errët, edhe pse ke njerëz që të duan dhe të thonë që po gabon. Gjatë Europianit e kisha kokën plot me këto mendime, pastaj erdhi mundësia me Milanin dhe trajneri (Fonseca) më telefononte çdo ditë. Kisha nevojë të ndihesha i dashur dhe i vlerësuar, edhe pse, duke parë pas, nuk kuptova që edhe Cholo (Simeone) më vlerësonte dhe më donte. Babai dhe agjenti im më thoshin që po bëja gabim”.
Morata dhe e ardhmja: “Jam i lumtur te Galatasaray, do të më pëlqente të qëndroja. Sidoqoftë, kam kontratë me Milanin”.
Më 2 shkurt, Morata vendosi ta mbyllte shpejt eksperiencën e tij te kuqezinjtë për t’u përqendruar plotësisht në kampionatin turk: “Rivaliteti mes Galatasaray dhe Fenerbahçe është shumë më i madh dhe i zjarrtë sesa ai mes Real Madridit dhe Atletico Madridit apo Real Madridit dhe Barcelonës. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Për të drejtuar derbin sollën një arbitër të huaj, në stadium kishte më shumë se 30.000 policë. Ishte e pabesueshme”.
Në fund, ai komentoi edhe punën e José Mourinhos te Fenerbahçe: “Kam shumë respekt dhe dashuri për José, sepse ishte i pari që ma dha mundësinë të luaj. Sidoqoftë, ndoshta duhet të presim të largohemi nga Turqia për të folur. Për momentin kemi mundësinë të fitojmë titullin e 25-të me Galatasaray, gjë që do të thotë një yll i ri në fanellë. Edhe për tifozët, kjo është gjëja më e rëndësishme”.
The post Morata rrëfen prapaskenat: Fonseca më telefononte çdo ditë, gabova me largimin nga Atletico Madridi appeared first on Telesport.
