Shefi i diplomacisë, Timço Mucunski theksoi se si shtet nuk duhet të harrojmë ndihmën që na e kanë ofruar shtetet tjera, siç thotë – ndihma me qëllime më të mira që ka shpëtuar jetë. Sipas tij, tragjedia na ka rikujtuar për ndihmën, mbështetjen, respektin dhe përgjegjësinë e ndërsjellë. Mucunski këtë e deklaroi pas vizitës në spitalet e Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Austrisë ku po mjekohen pacientë nga Maqedonia. Në këto vende ai u takua me kolegë ministra të cilët personalisht i ka falënderuar për ndihmën.

“Dërgova falënderim të sinqertë për solidaritetin, hapjen dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në ato momente të vështira. Mbështetja e tyre vlen shumë, jo vetëm nga aspekti mjekësor, por edhe si shprehje e afrimit njerëzor, humanizmit dhe dëshmisë për raportet e shkëlqyeshme miqësore që i kultivojmë”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.