A ka përçarje brenda koalicionit VLEN? Kryetari i ASh-së Arben Taravari edhe publikisht thotë se kanë probleme, pasi siç thotë janë të desinkronizuar. Sipas tij VLEN po funksionon shumë ngadalë për shkak se janë 4 parti dhe 4 kryetarë.
“Thash jemi të desinkronizuar se katër parti… një parti ka probleme e kur je katër parti, për çdo gjë duhet të konsultohen katër kryesi, katër përfaqësues partie dhe kjo është temë që na ka bërë vështirësi periudhën sa jemi në qeveri”, tha Arben Taravari.
-Domethënë nuk është se keni problem me funksionarë të caktuar por është mosfunksionimi i mirë?
“Mendoj se koordinimi jo shumë i mirë i lë këto pasoja”, tha Taravari.
Përpara gazetarëve kreu i ASh-së Arben Taravari mohon se do të dalë nga koalicioni VLEN, por thotë se ka gjasa që nëse nuk pranohen kushtet që i ka parashtruar për zgjedhjet lokale, të dalin vetë si parti.
“Jo. Ne kemi dy opsione për zgjedhjet lokale e kam thënë, një është të shkojmë si VLEN sëbashku e që unë e dëshiroj që të jetë ashtu edhe e dyta të dalim vetë në zgjedhjet lokale si Aleancë për Shqiptarët”, deklaroi Taravari.
Por çfarë thonë në BDI për kanalet e komunikimit të cilat i përmend Taravari!? Nënkryetari i kësaj partie Arbër Ademi tha se, secili që distancohet nga një plani që ka për qëllim defaktorizimin e shqiptarëve, sigurisht se ka mbështetjen e BDI-së.
“Secila parti politike që reteron nga të qenurit pjesë e një plani që ka për qëllim defaktorizimin e shqiptarëve, sigurisht se ka mbështetjen e BDI-së, kësaj strukture mirë të organizuar, mire të etabluar, serioze në vendin tonë”, tha Arbër Ademi.
Ademi shtoi se nuk kanë marrëveshje apo negociata formale me askënd për bashkëpunim në zgjedhjet lokale, përgjigje kjo që Ademi e dha pasi u pyet nëse është Arben Taravari bashkë me BDI-në në zgjedhjet lokale.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në intervistën për “360 shkallë” në TVM ka folur edhe për raportin në VLEN. Ai ka zbuluar se ka realizuar anketë me shqiptarë, ku siç thotë, nga aty ka dalë se 70% e të anketuarve kanë vlerësuar se “VLEN nuk funksion mirë”.
