Pas fitores kundër Genoa, bardhezinjtë e drejtuar nga Tudor kërkojnë konfirmim në “Olimpico” ndaj Romës për të vazhduar ndjekjen e objektivit Champions. “Kundër Romës do të jetë një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare, – shpjegoi trajneri i Juventusit.

– Pres një ndeshje të vështirë ndaj një skuadre të fortë dhe të organizuar, por jemi përgatitur mirë gjatë gjithë javës. Kam ardhur në një moment të keq, por jemi ngritur dhe kemi filluar të punojmë fort. Djemtë kanë dëshirë të bëjnë mirë. Për Koopmeiners është folur shumë, Cambiaso dhe Douglas Luiz do të jenë në stol”.

Java e parë e plotë e punës: “Punuam për gjithçka dhe shkoi mirë. Jam i kënaqur në të gjitha aspektet. Punuam në të dyja fazat, në goditjet standarte, në përgatitjen fizike dhe në rritjen individuale. I kam parë djemtë të predispozuar dhe me dëshirë për të bërë mirë”.

Transferta romake dhe gara për Champions: “Është një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare. Pikët janë gjithnjë e më pak në dispozicion, është e vërtetë. Do të shkojmë në ‘Olimpico’ për të luajtur kundër një skuadre që po bën shumë mirë. Presim një ndeshje shumë të vështirë, por duhet të mendojmë për veten dhe detajet ku kemi punuar”.

Dora e Ranierit te skuadra verdhekuqe: “Ranieri ka bërë diferencën, kjo është e dukshme. Mua më pëlqejnë ndeshje të këtij tipi. Ka vështirësi kudo kundër lojtarëve të fortë, seriozë dhe një skuadre të organizuar”.

Cambiaso dhe Douglas Luiz: “Janë kthyer dje me skuadrën. Do të jenë në stol, pastaj do të shohim”.

Rikuperimi i Koopmeiners: “Është folur shumë për të. Ka pasur një javë shumë të mirë pune, si të tjerët. Është krenar dhe shumë i disponueshëm. Në futboll ka ulje dhe ngritje, por lojtarët e fortë gjithmonë rikthehen. Mendoj se ai është një prej tyre dhe do të na ndihmojë shumë deri në fund”.

Çfarë duhet për të arritur Champions-in: “Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Duhet të punohet mirë gjatë javës në të gjitha frontet. Duhet të punohet për strukturën, stilin, fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Duhet të jemi kompaktë, por agresivë. Juve nuk duhet të heqë dorë nga asgjë. Shpesh iu vendosen etiketa edhe trajnerëve, por kjo nuk është e drejtë. Edhe mua më kanë etiketuar, por nuk dua të flas për këtë”.

Cili ishte problemi i Juves: “E gjeta skuadrën në një moment të keq, mendoj se jemi ngritur dhe kemi nisur të punojmë fort. Sa do të mjaftojë, nuk e di, por tashmë shoh gjëra interesante në stërvitje. Pastaj duhet parë se çfarë ndodh të dielën”.

Gjesti i Tottit ndaj Juves: “Kam folur me Francesco për atë gjest. Janë gjëra fushe, ndodhin çdo të diel”.

Ndonjë surprizë në grup: “Nuk merrem me emra të veçantë, kam gjetur gatishmëri të madhe te lojtarët. Të gjithë kanë punuar mirë dhe me përqendrim”.

Një gjykim për Yildiz: “E njoh prej pak kohësh. Para se të bëhesh kampion, duhet të jesh i qëndrueshëm në paraqitje. Dhe kjo arrihet me mentalitetin, sepse gjithçka varet nga koka. Yildiz është një djalë i ri, serioz dhe i përqendruar te futbolli. Ka cilësi të dukshme, por e ftoj të jetë i qëndrueshëm në rritje dhe në punë. Nuk duhet të kënaqet kurrë. Ky është çelësi e kampionëve të vërtetë. Ka ende shumë për të punuar, por ka një bazë të mirë nisjeje”.

Darka me skuadrën: “Doja t’i çoja të gjithë për darkë, për t’u njohur më mirë, edhe me stafin. Kaluam një mbrëmje të këndshme dhe ishte një moment i bukur. Çdo detaj ka rëndësi në një skuadër futbolli, edhe këto gjëra të vogla”.

Roma, testi i parë i vërtetë për të si trajner bardhezi: “E gjithë jeta është një provim, e përgatitim çdo ndeshje në maksimum. Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë, si të gjitha në Serie A. Në futboll nuk bëhen llogari. Në çdo ndeshje jepet maksimumi. Përgatitja është ajo që ka rëndësi. Skuadra duhet të ketë një objektiv të qartë. Pastaj, loja mund të vendoset nga episodet, por ajo që nuk duhet të ndodhë është që skuadra të mos sillet në fushë siç është planifikuar”.

McKennie në krahun e majtë: “Është një lojtar ‘xhol’. Ndonjëherë polivalenca mund të jetë problem, por në këtë rast është përparësi. Mund të luajë mirë në shumë role. Për mua është mesfushor, por tani që mungon Cambiaso dhe kemi ndryshuar pak sistemin, është e logjikshme që të luajë edhe në të majtë. Është një lojtar i fortë, pastaj do të shohim si do ta përdorim në të ardhmen”.

Formacioni titullar: “I kam idetë mjaft të qarta për skuadrën. Sigurisht, nuk i them këtu para gazetarëve”.

Mungesa e Gattit: “Është një mungesë e rëndësishme në çdo aspekt, por nuk qahemi. E pranojmë dhe ecim përpara. Ka lojtarë të tjerë që do ta zëvendësojnë”.

Conceicao si trekuartist: “Për mua mund ta bëjë si rol, sepse është i mirë në hapësira të ngushta. Është inteligjent, i shpejtë dhe e di ku do të vijë topi. Është më e vështirë të luash në qendër, por është një lojtar interesant dhe ka mentalitetin e duhur. Është luftarak dhe i ashpër. Duhet të rritet, por është mirë ta kesh në skuadër, sepse mund të jetë një zgjidhje e rëndësishme”.

 

The post Tudor “minimizon” transfertën me Romën: Ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare për Champions-in appeared first on Telesport.