Pas një video-xhirimi të publikuar nëpër rrjetet sociale ku shihet një person duke gjuajtur me armë zjarri, nga MPB-ja njoftuan se është privuar nga liria një banor i fshatit Cërnilishtë të Komunës së Dollnenit, kurse në kërkim është i biri i tij.
Video-xhirimin që fillimisht ishte shfaqur nëpër rrjete sociale, MPB-ja e ka publikuar si shtojcë në komunikatën për këtë rast.
Në komunikatë thuhet se Policë të Prilepit dhe Manastirit dje kanë bastisur shtëpinë e 51-vjecarit XH.Q nga Cërnilishta, ku kanë gjetur disa copë armë, që I dyshuari I ka patur me leje.
Armët e gjetura, sipas MPB-së, janë konfiskuar për shkak të dyshimit për kryerje të veprës penale sipas nenit 288 të Kodit Penal, kurse sipas tyre, do të pasojë procedura për marrjen e lejes për posedim të armës.
“XH.Q është privuar nga liria, kurse po ndërmerren masa për gjetjen e të birit të tij dhe për zbardhjen e rastit” – thonë nga MPB-ja.
