I ftuar në portalin serb “MozzartSport”, mbrojtësi qendror i Milanit, Strahinja Pavlović, ka treguar historinë e transferimit të tij te kuqezinjtë, duke prekur të kaluarën, të tashmen dhe projektet për të ardhmen: “Milani ishte klubi i parë që më kërkoi.

Kishte edhe klube angleze, por nuk dua t’i përmend tani. Para se të niste Europiani fola për herë të parë me Zlatan Ibrahimovic. Rastësisht e kisha parë pak ditë më herët dhe nuk e kisha idenë që isha në radarët e Milanit. Kur më telefonoi dhe kuptova sa shumë më donin, nuk mendova më për asnjë klub tjetër.”

Mbrojtësi serb ndalet edhe te zërat për një interesim nga Atletico Madridi: “Nuk kam folur me Simeonen, as me ndonjë tjetër nga klubi atje. E dija për interesimin përmes agjentit dhe njerëzve të tjerë, por edhe para kësaj i kisha thënë Zlatanit që doja të shkoja te Milani”.

Ai rikthehet sërish te Milani dhe ndikimi i madh i Ibrahimović në këtë zgjedhje: “Pse i thashë ‘po’ Milanit? Për Zlatanin, për madhështinë e klubit, për Serie A, për gjithçka. Kam pasur disa biseda me Ibrën, ku më tha se i pëlqente karakteri im, se i pëlqente çfarë jam dhe se donte me çdo kusht të më shihte këtu.

Pritej që gjithçka të mbyllej më shpejt, por më pas patëm disa probleme të vogla me Salzburgun. Nuk shkoi siç duhej, por në fund, falë Zotit, gjithçka përfundoi mirë dhe arrita të vishem kuqezi”.

The post Pavlović: I thashë ‘po’ Milanit për madhështinë e tij, por edhe prej… Ibrahimović appeared first on Telesport.