Zgjerimi i Unionit është proces i papërfunduar, theksoi ministri hungarez për çështje europiane Janesh Boka. Ai shtoi se ende po vlen oferta e kryeministrit Viktor Orban për të ndihmuar që të tejkalohet kontesti dypalësh dhe se për eurointegrimet nuk ka alternativë.

“Dëgjoj se tani BE ka entuziazëm të ri për zgjerimin e BE-së. Shpresoj se me të vërtetë është kështu dhe nëse është kështu Ballkani perëndimor duhet të jetë një nga përfituesit më të rëndësishëm për zgjerim dhe qeveria e Hungarisë dhe Hungaria punojnë për një epilog të tillë”, tha Janesh Boka – ministër për Çështje Europiane i Hungarisë.

Boka dhe ministri Murtezani nënshkruan Memorandum përmes të cilit Budapesti do të ketë qasje deri te modelet administrative të Maqedonisë me qëllim për të ndihmuar në procesin e negociatave.

“Me këtë hap, Maqedonia e Veriut dhe Hungaria edhe një herë tregojnë se Europa nuk është vetëm gjeografi apo burokraci, por qëllim i përbashkët, vlera të përbashkëta dhe besim i përbashkët se politika e zgjerimit është një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike të Bashkimit Europian”, deklaroi Orhan Murtezani – ministër për Çështje Europiane.

Boka i komentoi relacionet Budapest-Bruksel sidomos relacionet e ngushta me administratën e Donald Trampit, duke theksuar se Hungaria angazhohet për ndryshimin e fondamenteve të Unionit.

“Qeveria e Hungarisë asnjëherë nuk u tërhoq nga prezantimi i fuqishëm i qëndrimeve të saj në institucionet europiane dhe ne jemi të hapur për të diskutuar dhe të kemi debate të këtilla politike që duhet ta kthejnë BE-në në drejtimin e vërtetë. Nuk mendoj se ky është problem”, shtoi Janesh Boka – ministër për Çështje Europiane i Hungarisë.

Për zgjerim urgjent të Unionit me Ballkanin perëndimor, më së voni deri në 2030, këto ditë foli edhe ministrja e Austrisë për çështje europiane Klaudija Plakolm sipas së cilës rajoni nuk guxon t’u lihet fuqive të tjera gjeopolitike.