Procesi i zgjerimit është një imperativ gjeopolitik për Bashkimin Europian, tha eurokomesarja për zgjerim, Marta Kos, në intervistë për “Le Monde”. Ajo theksoi se patjetër të sigurohet siguria e kontinentit.

“Mes pushtimit rus të Ukrainës, ndryshimit të qëndrimit të SHBA-ve ndaj Kontinentit të Vjetër dhe ambicieve të Kinës në Ballkan, patjetër të vazhdojmë përpara pa humbur vend-kandidat, sepse kjo mund të na dobësojë”, tha Marta Kos – Eurokomisare për zgjerim.

Së fundmi, gjatë një mini-turneu në Ballkanin Perëndimor, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, tha në Tiranë se Europa duhet të mbrohet nga kërcënimet e jashtme dhe përsëriti se zgjerimi është prioritet në këtë drejtim.

“Aktorët që kërcënojnë sigurinë europiane po përhapin ndikimin e tyre në mbarë botën, si Rusia, Irani, Koreja e Veriut si dhe, fshehurazi, Kina. Disa prej tyre po e bëjnë këtë këtu në Ballkanin Perëndimor. Në ato vende, liria është larg realitetit”, u shpreh Kaja Kallas – përfaqësuese e lartë e BE-së.

Në intervistë për Euronews, ministri për punë të jashtme i vendit, Timço Mucunski theksoi se Rusia po përdor metoda konvencionale për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon. Sipas tij, në favor të Rusisë është teza se “Bashkimi Europian nuk është i sinqertë dhe nuk do ta integrojë kurrë rajonin”.

“Mendoj se zgjerimi duhet të ndodhë për shumë arsye, por një nga këto arsye, nga pikëpamja e sigurisë, është sigurisht ndikimi rus malinj që ekziston në rajonin tonë. Ndonjëherë dua të theksoj hapur se ndikimi rus, veçanërisht në rajonin tonë, vjen shumë lirë dhe ata dinë se si ta shfrytëzojnë atë”, deklaroi Timço Mucunski – ministër i Punëve të Jashtme.

Për sa i përket rajonit, së fundmi kreu i diplomacisë britanike, David Lami apeloi që Ballkanit Perëndimor të integrohet sa më shpejt në BE, për shkak se mund të jetë fushë e re e Rusisë për destabilizimin.