Prift katolik i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë–Durrës, Dom Gjergj Meta përmes një shkrimi në Facebook tha se fëmija i fundit që Papa Françesku ka takuar në Vatikan është një foshnjë shqiptare e quajtur Hera Çoba, vajza e dy prindërve shqiptarë emigrantë që jetonin në Gjemani.
Ai ka publikuar edhe videon që i është dhënë nga prindërit e Herës.
“Fëmija i fundit që ka takuar Papa Françesku në sheshin e shën Pjetrit ditën e Pashkës quhet Hera Çoba, vajza e Nikoll Çobës dhe Franga Prengës me origjinë nga fshati Jubë i Durrësit e që jetojnë në Gjermani. Vijnë nga një familje e nderuar me të cilën njihemi me qindra vjet, duke qenë se na ndan vetëm lumi Erzenit nga fshati ku kam jetuar edhe unë. Ma dërgoi sot vetë babai i Herës, Niku, dhe më lejuan ta publikoj. I falenderoj e i urojmë jetë të gjatë Herës së vogël e pastë bekimet e Zotit”, ka shkruar Dom Gjergj Meta.
Pamjet emocionuese kanë bërë xhiron e rrjetit ku Papa shihet teksa bën ritualin e bekimit të vajzës, që iu dërgua pranë makinës së tij nga rojet e sigurisë në Vatikan.
E diela e pashkëve shënoi edhe daljen e fundit publike të Papa Françeskut në Sheshin Shën Pjetri të Vatikanit.
Ai përshëndeti besimtarët nga ballkoni përpara fjalimit të tij te Pashkës që u mbajt nga një Kardinal, ndërsa më pas me automjetin e tij përshëndeti besimtarët që ndodheshin në Vatikan.
Papa ndërroi jetë një ditë më pas, të hënën në orën 7:35 të mëngjesit si pasojë e një goditjeje në tru dhe dështimit të zemrës.
