Një befasi e bukur erdhi këtë fundjavë nga Zvicra, aty ku ekipi i Kategorisë së Tretë, Biel, mposhti kampionin në fuqi, Young Boys dhe siguroi biletën për finalen e madhe të Kupës.
Young Boys vinte si super favorit në këtë gjysmëfinale, e cila u luajt në stadiumin e Biel, “Tissot Arena”, që ka një kapacitet prej 6500 vendesh dhe dje ishin shitur rreth 6000 bileta.
Edhe pse një stadium i vogël, atmosfera e krijuar nga tifozët vendas ishte fantastike. Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi në barazim pa gola. Në minutën e 99-të, vendasit do të gjenin golin nga pika e bardhë e penalltisë, e cila u ekzekutua saktë nga sulmuesi i tyre 20-vjeçar Malko Sartoretti.
Në minutat e mbetura, Young Boys provoi të gjente golin e barazimit, por më kot. Pas vërshëllimës së arbitrit nisi festa e madhe në fushë, ku u bashkuan tifozë e lojtarë bashkë.
Finalja e madhe e Kupës së Zvicrës do të luhet më 1 qershor, Biel do të përballet me Basel, që sigurisht është favoriti kryesor për të ngritur trofeun, por ekipi i Kategorisë së Tretë ëndërron të bëjë dhe një surprizë të fundit…
The post Ekipi i kategorisë së tretë mposht kampionin në fuqi dhe shkon në finalen e Kupës në Zvicër (video) appeared first on Telesport.
