Sipas raportit të finales së Kupës së Mbretit, Ricardo de Burgos Bengoetxea shënoi se Antonio Rüdiger kishte “një sjellje agresive” në fundin e ndeshjes. Lothar Matthäus, legjenda gjermane dhe zë autoritar i “Sky”, kritikoi ashpër sjelljen e mbrojtësit të Real Madridit në “La Cartuja”.

“Ishte i çmendur. Nuk mund ta kontrollonte më veten dhe shokët e skuadrës duhej ta qetësonin e ta mbanin me shumë forcë. E kapën sikur të ishte një luftëtar, për ta penguar të hynte me vrap në fushë”, – shpjegoi ish-futbollisti gjerman mbi atë që ndodhi me Rüdiger.

Sipas Matthäus, mbrojtësi gjerman meriton një ndëshkim shembullor pas veprimeve të tij në përfundimin e finales së Seville. Për këtë, ai argumentoi: “Nëse i japin 4 ndeshje pezullim, nuk do të jetë ndonjë gjë e madhe. Mendoj se do të jetë një pezullim dyshifror, sepse ajo që bëri në finale, jo vetëm ndaj gjyqtarit, por edhe ndaj vetes, ishte e papranueshme. Duke qenë edhe lojtar i përfaqësueses së tij, duhet të jetë model për t’u ndjekur. Kësaj here e harroi plotësisht këtë.

Sigurisht që ka kërkuar falje, pork jo nuk i zhbën veprimet e tij të pamatura. Ndoshta ndihet keq për këtë, por kërkesa për falje erdhi pak vonë, parashikoj që do të marrë një dënim XXL”.

Pra, Matthäus është i bindur se Rüdiger do të marrë një dënim të rëndë: “Shokët e skuadrës e penguan që të bënte diçka edhe më të keqe. Ai ka një histori me sjellje të tilla kontroverse. Vetëm disa javë më parë, në ndeshjen kundër Atletico Madridit, bëri një gjest të ngjashëm, si prerje e kokës, ndaj tifozëve kundërshtarë”.

Po ashtu, Matthäus theksoi se, edhe pse ekziston një rivalitet i madh midis Real Madridit, Barcelonës dhe Atletico Madridit, kjo nuk është arsye për të justifikuar sjelljen e Rüdiger në evente si finalja e Kupës së Mbretit: “Derbet janë gjithmonë emocionues, natyrisht, por ai nuk ishte në lartësinë e duhur. Në finalen e Kupës së Mbretit, shpërthimi i tij nuk zgjati vetëm pesë sekonda, por një minutë ose dy e gjysmë”.

 

The post Matthäus kritikon Rüdiger për sjelljen dhe parashikon dënim të rëndë “XXL” për të appeared first on Telesport.